Masat ndaj COVID-19: Këto janë rregullat e reja në Qendrën e Studentëve
Shifrat me COVID-19 në Kosovë janë rritur dukshëm në javën e fundit. Për këtë edhe Qeveria nga sot ka vendosur masa të reja për qytetarët. Mirëpo, me këto masa nuk është prekur edhe Qendra e Studentëve në Prishtinë, aty po vazhdon të jetë i hapur edhe konkursi për pranim të studentëve.
Qendra e Studentëve në Prishtinë tashmë ka hapur konkursin për pranimin e studentëve në konvikte, duke përcaktuar kështu edhe rregullat e përgjithshme. Këtë herë rregullat janë ndryshe prej viteve të kaluara.
Rreziku për infektim mes studentëve sipas drejtorit të kësaj qendre, Fatmir Sfishta do të jetë i vogël ngase vendosja e tyre në një dhomë dhe masat e higjienës sanitare do të zbatohen .
“Rregulli i parë i QS-së është që vetëm një student do të vendoset në dhomë dhe ka hapësirë të mjaftueshme dhe rreziku për infektim të njëri-tjetrit është më i vogël. Masat tjera që janë marra janë higjiena sanitare në mënyrë që edhe studentët të kenë mundësi që vet të mbajnë higjienën e tyre personale. Gjithashtu kemi marrë masa me dezinfektues për çdo pavijon të konvikteve, në mënyrë që studentët t’i dezinfektojnë duart kudo”, ka thënë drejtori Sfishta.
Mirëpo, ligji Anti-Covid ka përcaktuar se në një hapësirë që është e frekuentuar nga qytetarët, duhet të ketë dezinfektim vazhdueshëm.
Fakteplus për këtë çështje e ka pyetur drejtorin i cili njoftoi se, dezinfektimi do të bëhet tri herë në javë.
Nga ana tjetër, sërvimi në mensë do të krijoj tollovi nëse nuk do të kishte një rregull përcaktues se si do të jetë ngrënia edhe orari i shërbimit.
Sfishta thotë se mënyra e sërvimit do të jetë e njëjtë mirëpo, studentët do të ndahen në grupe dhe do të jenë në një numër më të vogël, në 180 nga 750 sa janë ulëset totale aty.
“Në mensën e studentëve, gjatë procesit të sërvimit të ushqimit dhe të ngrënies, jemi kujdesur që të mos ketë numër të madh dhe të respektohen të gjitha masat e nevojshme për largësi. Forma e shërbimit do të jetë e njëjtë, mirëpo numri më i vogël i studentëve, ngase kapaciteti i ulëseve në mensë është 750, kurse ne kemi planifikuar, diku 180 studentë brenda një kohe të ushqehen në mensë dhe më pas vije grupi tjetër i studentëve”, ka theksuar drejtori i Qendrës së Studentëve.
Ndërsa sa i përket ujit të ngrohtë i cili ka qenë problem i kamotshëm i studentëve, u premtua se prej orës 08:00 deri në 21:00, banuesit e QS-së do të jenë në shfrytëzim të tij.
Kujtojmë se hapja e konkursit për aplikim në konvikte do të jetë deri më 07.11.2020.
Në ditët e fundit në Kosovë ka pasur rritje të madhe të numrit të personave të infektuar me Covid-19, duke mbingarkuar kështu sistemin shëndetësor të vendit. Vetëm në 24 orët e fundit mbi 300 persona u infektuan me koronavirus dhe ka pasur gjithashtu edhe viktima.
Qeveria: Situata epidemiologjike me Covid-19 në Kosovë është serioze
Në këtë interval kohor kanë qenë 7 persona të cilët kanë humbur betejën me COVID-19.
Edhe muajin që lamë pas, tetori, ishte me statistika të larta të infektimeve me koronavirus. Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Tetor kanë qenë 4 mijë e 249 raste pozitive me COVID-19 e që për pasoj kanë humbur jetën 56 persona. Në të dhënat e IKSHPK-së po ashtu për 1 muaj janë shëruar 1 mijë 966 persona.
Në anën tjetër, numri total i rasteve pozitive është 20 mijë e 179 raste nga 95 mijë e 774 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 688 raste të vdekjes.