Masa tarifore 100 për qind preku edhe kompanitë e rrugëve
Masën prej 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës për Serbinë kanë filluar ta ndjejnë edhe kompanitë që shtrojnë rrugë. Disa nga kompanitë që ka kontaktuar FaktePlus kanë treguar se po kanë telashe me sigurimin e lëndës së bitumenit, që përdorët për shtrim të asfaltit.
Pronarët e këtyre kompanive kanë thënë se këtë lëndë deri tash e kanë marrë nga Serbia. E sipas tyre, pasi vendosjes së masës, këtë lëndë tash s’po mund ta sigurojnë dhe punët u kanë mbetur në gjysmë.
Mungesën e kësaj lënde deri tash kanë filluar ta ndjejnë më së shumti disa kompani nga rajoni i Gjakovës dhe Pjesës, ku edhe janë ndërprerë punimet në asfaltimin e rrugëve.
Se lënda (bitumen) për shtrimin e rrugëve të Kosovës ka ardhur nga Serbia e kanë konfirmuar edhe në Ministrinë e Infrastrukturës.
Udhëheqësi i Divizionit të Ndërtimit dhe Rekonstruimit të Rrugëve, Mal Lokaj ka treguar për FaktePlus se lënda apo materiali që operatorët ekonomik vazhdojnë ta marrin jashtë Republikës së Kosovës, është bitumeni si lëndë bazë përbërës i asfaltit.
“Kjo lëndë mungon në tregun e brendshëm dhe për këtë kompanitë tona ndërtuese të rrugëve janë të detyruara që të furnizohen kush në Shqipëri e kush në Serbi”, ka thënë ai.
Lokaj ka thënë se deri më tash nuk kanë marrë ndonjë ankesë nga kompanitë kosovare për mungesë të kësaj lënde.
“Sa i përket ankesave nga operatorët ekonomik, deri më tani nuk kemi të dhëna konkrete për këtë çështje. Kjo ndoshta se taksa 100 për qind është vendosur rishtazi në krahasim me furnizimet që kompanitë mund t’i kenë pasur paraprakisht si stoqe, por edhe për faktin se; -kompanitë ndërtuese-rindërtuese të rrugëve, janë në fazën e konzervimeve të punimeve të deritanishme dhe përfundimisht të përmbylljes së këtyre punimeve gjatë stinës së dimrit. Si përfundim, deri me tani, ne si Divizion sa i përket i kësaj fushëveprimtarie, nuk kemi pasur ndonjë ankesë të veçantë në lidhje me këtë”.
FaktePlus ka kërkuar të dhëna edhe nga Dogana e Kosovës lidhur me importin e kësaj lënde nga Serbia, por deri më tash nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Propozimin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala para një muaji Qeveria e Kosovës e miratoi dhe mori vendim që të vendosen masa mbrojtëse prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Me vendosjen e tarifës prej 10 për qind për mallrat serbe, janë dhënë edhe efektet e para në Kosovë, duke shënuar rritjen e të hyrave për buxhetin e shtetit./FaktePlus