Masa shtesë për mallrat e importuara – do të vendoset edhe flamuri
Përveç aplikimit të taksës doganore prej 10 për qind për mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, tani institucionet e Kosovës janë duke punuar për të vënë edhe një masë tjetër ndaj importeve në përgjithësi. Së shpejti mallrat nëpër raftet e shitoreve do të identifikohen edhe me flamuj të shteteve që i prodhojnë.
Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka vendosur që gjithë operatorët ekonomik që shesin produkte të importuara duhet t’ua vënë atyre edhe flamurin e origjinës.
Kjo masë e re e hartuar nga MTI është funksionalizuar me miratimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, ndërsa neni i këtij ligji që specifikon këtë gjë do të hyjë në fuqi në janar të vitit 2019.
Zëdhënësi i MTI-së, Elhami Ismajli i ka konfirmuar Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se të gjithë operatorët ekonomik shitjen e produkteve nëpër markete do ta bëjnë me flamuj.
“Ligji për mbrojtjen e konsumatorit është fuqi nga qershori i këtij viti, ndërsa neni të cilit ju po i referoheni hyn në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm, që i bie 6 muaj pas aprovimit të ligjit. Kjo kohë shtesë ju jep mundësi bizneseve të përgatiten dhe mandej të gjithë operatorët ekonomik shitjen e produkteve nëpër markete ta bëjnë me flamur për të treguar vendin e origjinës së produktit”, ka thënë Ismajli.
Në lidhje me këtë Ismajli ka njoftuar se MTI-ja ka bërë grupin punues ku shumë shpejt do të përcaktohet edhe udhëzimi më i detajishëm i këtij procesi.
Ai tutje thotë se bizneset do të inspektohet pas hyrjes në fuqi së këtij ligji.
“MTI e ka bërë grupin punues, ku shumë shpejt do të përcaktohet edhe përmes këtij udhëzimi dhe do të bëhet në detale edhe vendosja e flamujve. Pas hyrjes në fuqi, ku obligon operatorët ekonomik të vendosin flamuj. MTI-ja do të bëjë inspektime për ta parë nga afër se a po zbatohet ligji”, ka pohuar Ismajli.
Zëdhënësi i MTI-së tha se për këtë proces janë bërë bashkëpunime edhe me inspektorët komunal me qëllim rritjen e inspektimeve.
Sipas tij, ministri Endrit Shala ndër prioritetet kryesore e ka rritjen e inspektimeve, rrjedhimisht edhe cilësinë e produkteve që konsumatori të jetë i mbrojtur.
“Dinamika e punës është shtuar me inspektoratin dhe njëkohësisht kemi një koordinim me inspektoratet komunale, që inspektimet të jenë sa më të shpeshta. Kemi pasur një takim me drejtorët e inspektorateve nëpër komuna të Kosovës me të cilët ministri Shala ka kërkuar bashkëpunim edhe më të madh, gjë e cila është mirëpritur nga të gjithë”, ka thënë Ismajli.
Qeveria e Kosovës ditë më parë mori vendim për rritjen e taksës për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Ky vendim mori përkrahjen e të gjithëve, si kundërpërgjigje ndaj Serbisë, e cila jo vetëm në rrafshin ekonomik, por edhe në rrafshin politik po vazhdon sulmet e saj ndaj pavarësisë e sovranitetit të Kosovës.
Vendimin e Kosovës nuk e ka pritur mirë Serbia. Madje ky shtet ka kërcënuar edhe mos vazhdimin e procesit të dialogut nëse nuk hiqet kjo masë reciprociteti./Berat Kostanica – FaktePlus