Marsh për Urën e Ibrit
Shoqëria civile e Mitrovicës është duke përgatitur një marsh të qytetarëve, të jugut dhe të veriut të Mitrovicës për hapjen e urës, punët në revitalizimin e të cilës kanë përfunduar. Pjesa matanë urës ku do të bëhet zona e këmbësorëve ende nuk ka përfunduar, ndërsa punët zvarriten, siç thonë në jug me urdhrin e kryetarit të Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, i cili edhe është duke penguar hapjen e urës.
Shoqëria Civile e Mitrovicës është duke përgatitur një marsh të qytetarëve, të jugut dhe të veriut për hapjen e urës, punimet në revitalizimin e të cilës kanë përfunduar ka gati katër muaj.
Por pjesa tjetër në veri, përkatësisht në rrugën “Mbreti Peter” po zvarriten pafundësisht dhe kjo bëhet, siç thonë shqiptarët e jugut të Mitrovicës me urdhrin e kryetarit të Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, i cili insiston që ura të mos hapet derisa të nënshkruhet memorandum në mes tij dhe kryetarit të Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri për definimin e kufirit në mes të dy komunave të Mitrovicës.
Aktualisht nëpër urë mund të lëvizin vetëm këmbësorët, ndërsa ka mbi një vit e gjysmë që ura është dashur të hapet për qarkullim të automjeteve.
Kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, edhe më tutje insiston se katër fshatra me shumicë shqiptare, të cilat aktualisht i takojnë komunës jugore, duhet t’i takojnë komunës veriore, ndonëse me pakon e Ahtisarit ato i takojnë komunës jugore. Posaçërisht, Rakiq insiston që pjesa serbe e Suhadollit t’i takojë Mitrovicës së veriut dhe këtë ide të tij ai e bazon në faktin se në zgjedhjet e fundit, KQZ-ja kishte ndarë fshatin në dy pjesë, serbët kanë votuar në veri, ndërsa shqiptarët e Suhadollit në jug.
E ndërkaq, disa organizata joqeveritare planifikojnë ta organizojnë një marsh për hapjen e urës, i cili do të niset nga pjesa jugore e Mitrovicës, do të kalojë nëpër pjesën veriore të qytetit të ndarë dhe do të përfundojë tek Qendra Spitalore në veri.
Kryetari i Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, ka këmbëngulur që ura të hapet për qarkullim të automjeteve dhe të këmbësorëve këtë muaj dhe që të mos zvarritet më tutje, e që sipas tij do të bënte që Mitrovica të bashkohej. Hapjen e urës, kryetari i jugut të Mitrovicës e ka kërkuar nga shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Natalya Apostollova, e cila nuk ka mundur ta thotë ndonjë datë, kur ura vërtet do të hapej për qarkullim të automjeteve.
Në anën tjetër, qytetarët e Mitrovicës, serbë dhe shqiptarë kanë mendime të ndryshme sa i përket hapjes së urës. Derisa shqiptarët mendojnë se ura është dashur të hapej deri me tani, serbët mendojnë se ende nuk është koha e duhur që ura të jetë e lirë për qarkullim. Këta të fundit mendojnë se situata ende nuk është normalizuar për të mundur të hapet ura, pasi që sipas tyre, u rrezikohet siguria. E të njëjtit mendim është edhe Adriana Hoxhiq, shefe e Administratës në komunën veriore, e cila u ka thënë mediave në Prishtinë (RTK2), se ende nuk është koha që të hapet ura kryesore mbi lumen Ibër për qarkullim të automjeteve.
“Ai është njëprojekt politik, përgjithësisht e gjithë puna e rinovimit të urës vërtet ka qenë shkak i tensioneve të shumta që kanë ndodhur në komunën verirore të Mitrovicës dhe nuk mund madje as të them se kur do të mund të krijohen kushte për hapjen e urës kryesore mbi lumen Ibër, definitivisht tani nuk është koha ta kemi ndonjë aktivitet lidhur me hapjen e urës”, ka thënë Hoxhiq. Ajo mendon se zgjidhja më e mirë ishte “Parku i Paqes”, barrikada të cilën e kishte vendosur kryetari i Mitovicës së veriutm Goran Rakiq, pas largimit të barriadës me zhavor dhe të përfocuar me beton, e cila ishte quajtur “turpi i Kosovës”.
“Parku i Paqes’ për të gjithë ne, e posaçërisht për bashkësinë ndërkombëtare na ka përkujtuar se ende nuk ka një besim në mes të etniteteve, në mënyrë që pjesa veriore e qytetit dhe ajo jugore të mund të lidhen me këtë urë“, ka sqaruar Hoxhiq. Në anën tjetër, analisti Nexhmedin Spahiu, nuk e kupton për ç’arsye kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq po e mban peng urën, shkruan zëri.
“Nuk e di për ç’arsye kryetari Rakiq këtë çeshtje po e zvarrit kaq shumë, sepse hapja e urës do të lehtësonte qarkullimin e qytetarëve nga jugu nëveri dhe anasjelltas. Nuk shoh asnjë arsye, as të sigurisë as ndonjë tjetër që ura të mbahet e mbyllur. Vendimi është te Rakiqi dhe ai këtë duhet ta bëjë sa më parë“, ka thënë Spahiu.
E ndërkaq, Faruk Mujka, nënkryetar i Mitrovicës, ka ripërseritur se ura kryesore e Ibrit është peng i obstruksioneve të kryetarit të komunës veriore, Goran Rakiq, i cili siç tha Mujka, “është pengesa kryesore dhe njeriu i vetëm i cili kundështon fuqishëm hapjen e urës”.