Marrëveshjet Kosovë-Serbi për doganën, kush sa i ka zbatuar
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka punuar një infografikë në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, sa i përket çështjeve doganore.
Përmes kësaj infografike, janë paraqitur marrëveshja për Vulat Doganore, marrëveshja për Mbledhjen e të Hyrave Doganore, marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, si dhe marrëveshja për Shkëmbimin Sistematik të të Dhënave Elektronike mbi Doganat (SEED).
KDI thekson se në marrëveshjen për vulat doganore, Kosova ka zbatuar në tërësi të gjitha obligimet e kësaj marrëveshje, ndërsa Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen duke përdorur vula paralele doganore.
Po ashtu, në marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, Kosova ka ndërtuar pikat kufitare në Merdare dhe Mutivodë.
Kurse duke iu referuar pikë-kalimit kufitar në Bërnjak, KDI-ja thekson se ajo nuk është filluar për shkak të pengesave nga ana e Serbisë.
Serbia nuk ka punuar fare as në ndërtimin e pikave kufitare në Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe Muqibabë. Pala serbe, sipas KDI-së, është ende në fazat e hershme të vlerësimeve të projekteve.
Në muajin shtator të vitit 2013, kur u bë marrëveshja për Shkëmbimin Elektronik të të Dhënave Doganore, Kosova ka filluar zbatimin që në vitin 2013, ndërkaq, Serbia, ka filluar zbatimin në nëntor të vitit 2015.