“Marrëveshja Thaçi-Vuçiq ekziston dhe është në dëm të Kosovës”
Arbër Zaimi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se marrëveshja Thaçi-Vuçiq ekziston dhe është e keqe dhe në dëm të Kosovës.
Sipas tij, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri pohoi në emision se në atë marrëveshje “diçka duhet të jepet”, pra dera e copëtimit të Kosovës është ende e hapur, nëse i lejojmë, shkruan Reporteri.net.
Postimi i tij:
Siç u bë e qartë, marrëveshja Thaçi-Vuçiq ekziston dhe është e keqe. Në dëm të Kosovës, në të mirë të kriminelëve.
Lutfi Haziri pohoi në emision se në atë marrëveshje “diçka duhet të jepet”, pra dera e copëtimit të Kosovës është ende e hapur, nëse i lejojmë.
Baton Haxhiu, sekseri i Beogradit, pohoi në emision se marrëveshja përfshin amnisti për “krimet e bëra nga të dyja vendet”, duke treguar se ai dhe bossat e marrëveshjes besojnë se ka patur krime të bëra edhe nga Kosova. Amnistia që thotë Batoni, dmth. që kurrë të mos ketë drejtësi për rreth 12.000 fëmijë, gra e burra të vrarë e rreth 20.000 fëmijë gra e burra të dhunuar gjatë përpjekjes serbe për shfarosjen e shqiptarëve.
Kjo është marrëveshja që duan të arrijnë pasi ta rrëzojnë fituesin legjitim të zgjedhjeve, LV-në: falje territori të pasur me minerale të rëndësishme, dhe falje e krimeve çnjerëzore të luftës.