Marrëveshja përfundimtare me Serbinë, Kosovës do t’i sillte anëtarësim në OKB
Kosova dhe Serbia që nga nëntori i vitit 2018 asnjëherë nuk janë ulur në tryezën e bisedimeve.
Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë që nga nëntori i vitit 2018 është “shuar” tërësisht, kjo pasi që qeveria e atëhershme kosovare kishte marrë vendim që të vendoste tarifë prej 100 për qind për produktet me origjinë serbe dhe boshnjake.
Mirëpo, kohëve të fundit Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë parë të angazhohen shumë më shumë që ky dialog të rinis sa më parë dhe të arrihet marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
Donika Emini, njohëse e çështjeve të dialogut, në një intervistë për lajmi.net, ka thënë se për shkak të pandemisë me COVID-19, edhe afatet për marrëveshjen finale tashmë janë shuar.
Sipas saj, ka qenë një matematikë që Kosova dhe Serbia t’i përmbyllin negociatat me marrëveshjen finale gjatë këtij viti, mirëpo një gjë e tillë tashmë është e pamundur.
“Ka qenë një matematikë, që në fillim që një marrëveshje do të arrihet para zgjedhjeve në Serbi, por ato u shtynë. Mirëpo tash edhe Amerika është epiqendra e pandemisë. Ka qenë një urgjencë që ky vit me u përmbyll me marrëveshje. Unë nuk jam në favor të datave dhe duhet të fokusohemi në proces dhe të angazhohemi që të kemi një marrëveshje e cila është e implementueshme dhe një marrëveshje e cila do të sjellë rezultat pozitivë në Kosovë, Serbi dhe rajon”, theksoi Emini.
Mirëpo se çfarë do të përfitojë Kosova nga marrëveshja përfundimtare me Serbinë, Emini thotë se së pari do të mundësohej njohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin si dhe më pas edhe rruga për anëtarësim në OKB.
“Kemi pritur që në momentin që nënshkruhet marrëveshja gjithçka ka me u rregullua, por jo nuk është ashtu. Një marrëveshje e tillë do t’ia lehtësoj Kosovën operimin ndërkombëtar. Çka unë shpresoj është që të ndalen tërheqjet e njohjeve, të sigurohen marrëdhëniet bilaterale. Një marrëveshje e tillë do t’ia hapte Kosovës rrugën për anëtarësim në OKB, por dihet që atje e kemi Rusinë dhe Kinën. Mirëpo sa i përket BE-së, kjo do t’ia hapte rrugën Kosovës që të njihej nga pesë vendet anëtare që nuk e njohin. Andaj Kosovës së paku i duhet ndoshta një dekadë për të arrit ndoshta një pozicion të kënaqshëm në raport me BE-në në impelmemntimin e reformave në mënyrë që ta shohim vendin duke negociuar hapjen dhe mbylljen për anëtarësim në këtë union”, theksoi Emini