Maqedoni: Prej nesër fillon votimi treditësh për zgjedhjet e parakohshme parlamentare
Që nga nesër fillon votimi që do të zgjasë tre ditë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut.
Në 3.390 vendvotime në zgjedhjet e dhjeta të parakohshme parlamentare mund të votojnë 1.814.263 qytetarë të regjistruar në Listën zgjedhore.
Votimi në këto zgjedhje parlamentare për shkak të pandemisë aktuale të Covid-19 për herë të parë do të zhvillohet tre ditë.
Më 13 korrik do të votojnë të prekurit me Covid-19 dhe personat që gjenden në vetizolim.
Komisionet zgjedhore komunale kanë pranuar 716 kërkesa të personave pozitivë me koronavirus ose në vetizolim për votim që duhet të mbahet nesër.
Deri te KZK kanë arritur mbi 770 kërkesa të tilla, ndërsa prej gjithsej 80 komunave në 57 do të votojnë të të prekurit dhe personat në vetizolim.
“Të martën, më 14 korrik, do të votojnë të sëmurët, të pafuqishmit, të sëmurët kronik, personat në burgje, në shtëpitë e pleqve dhe në arrest shtëpiak. Sipas informatave të KSHZ-së, nga 9.499 të sëmurë, të pafuqishëm dhe persona të sëmurë kronik në KZK janë pranuar kërkesat e 8.852 personave të cilët sipas udhëzimeve të Komisionit kanë dërguar dokumentacion përkatës mjekësor për të dëshmuar se kanë nevojë për votim në shtëpinë e tyre”, shkruan Alsat
Më 15 korrik të mërkurën, vendvotimet do të hapen në orën shtatë, ndërsa votimi do të zgjasë deri në orën 21, dy orë më shumë nga zgjedhjet e zakonshme të mëparshme, kur vendvotimet mbyllen në orën 19:00.