Manaj: E lash Barcelonën për ambiciet e Spezias
Rey Manaj thotë se ishte vetë ai që e kërkoi largimin nga Barcelona.
Futbollisti shqiptar i dha fund vitin e kaluar eksperiencës në gjigantin katalunas për t’iu bashkuar ekipit italian, Spezia në Serie A.
Përfaqësuesi shqiptar thotë se kishte mundësi të qëndronte në “Camp Nou”, ku i ishte premtuar se do të kishte minutazh edhe në ekipin e parë.
Por, në fund ai kishte vendosur të largohej përfundimisht për ta provuar një aventurë të re në Itali.
“Gjatë verës së kaluar, pas një viti të kaluar dhe duke dëgjuar gjithçka në dhomat e zhveshjes, e mora vendimin të largohem dhe të provoj të luaj diku tjetër. Në ato ditë më donte një klub tjetër i La Ligas, por Barcelona e kishte refuzuar atë ofertë. Më pas, isha unë që kërkova të largohesha. Koemann më tha se do t’i kisha rastet e mia për të luajtur, por vendosa të llogarisja në vetveten. Unë jam larguar para Griezmannit. Nëse do të largohej më herët ai, unë do të qëndroja”, deklaroi Manaj në një intervistë për mediumin italian “La Gazzetta dello Sport”, përcjell “Gazeta Express”.
“Përse e zgjodha Spezian? Ishte një bast i mirë. Një klub ambicioz që po konsolidohet. E kam kuptuar se këtu do të mundë të afirmohesha definitivisht”, vazhdoi Manaj.
Ndërkohë, në fund ai foli edhe për eksperiencën e shkëlqyeshme që e pati tek Barça, të cilën nuk do ta harrojë kurrë.
“Kur kam nënshkruar me Barcelonën më dukej se po luaja në FIFA në Play Station. Kam kaluar në ekipin e parë dhe e kisha nderin të ushtroja me Messin. Por, gjatë verës, pas një viti të kaluar duke dëgjuar gjithçka në dhomat e zhveshjes, e mora vendimin të largohem dhe të provoj të luaj diku tjetër”, përfundoi futbollisti shqiptar.