Man.United shkatërron Brightonin, shkëlqen portugezi Fernandes
Manchester Unitedi e ka mundur bindshëm 3:0 Brightonin, duke e vazhduar me garanci garën për top katërshe në Premierligë.
Bruno Fernandes me dy gola dhe Mason Greenwood me një ia siguruan tri pikë të reja Djajve të Kuq të martën në ‘Amex Stadium’.
Ky triumf nënkupton se skuadra e Ole Gunnar Solskjaer tani grumbullon 52 pikë në pozitën e pestë, dy më pak se vendi i katërt, Chelsea, i cili e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Për Brightonin, ndërkohë, kjo disfatë nënkupton komplikim i gjërave në përpjekje për të mbijetuar në Premierligë.
Brighton mbledh 33 pikë në pozitën e 15-të, vetëm gjashtë më pak se zona e rënies nga liga, ku ndodhen Bournemouth dhe Aston Villa, të cilat do t’i afrohej atij në vetëm tri pikë nëse i fitojnë ndeshjet e tyre përkatëse të javës së 32-të.
Në një ndeshje të mbizotëruar plotësisht nga Djajtë e Kuq, Greenwood e theu akullin pas një çereku lojë, kur shënoi në mënyrë individuale.
Fernandes realizoi pas gjysmë ore lojë për epërsinë e dyfishtë të Unitedit, kur u shërbye nga Paul Pogba.
Mesfushori portugez e shënoi golin e dytë personal dhe e vulosi fitoren e Unitedit në minutën e 50-të, duke realizuar me vollei.