Man. City hakmerret ndaj “Spurs” dhe kap kreun, Foden hyn në histori (Video)
Manchester City ka fituar 1-0 në përballjen me Tottenham, katër ditë pas atij eliminimi që “Gjelat” iu bënë në Champions League. Ka mjaftuar një gol i Foden në pjesën e parë për të kapur kreun e Premier League.
Ka nisur me ritme të larta ndeshja mes Manchester City dhe Tottenham, e vlefshme për javën e 33-të të Premier League. Ishte i riu Phil Foden që shënoi në minutën 5’, pas një pasimi me kokë nga Aguero.
Me këtë gol, 18-vjeçari ka hyrë në historinë e klubit, duke u bërë lojtari më i ri që ka shënuar në Premier League. Ndërsa në minutën 38’ ishte Kevin De Bruyne që la fushën pas një dëmtimi në gju. Një sezon i shkuar dëm për belgun që më shumë ka qëndruar jashtë fushe i dëmtuar.
Rezultati mbeti i pandryshuar në 45 minutat e dyta, teksa City dominoi në qarkullim topi dhe pati edhe disa mundësi shënimi, por nuk u treguan të saktë në finalizimin e aksioneve të tyre.
Me këtë fitore Manchester City ngjitet në vend të parë me 86 pikë, 1 më shumë se Liverpool, që luan të dielën ndaj Cardiff. Ndërkohë Tottenham mbetet në vend të tretë me 67 pikë, 1 më shumë se Arsenal dhe Chelsea.