Malisheva tri ditë pa asnjë rast të ri me COVID-19, rezultatet tjera dalin sot
Malisheva po prin me numrin e personave të prekuri me virusin COVID-19 në Kosovë. 66 banorë të kësaj komune janë konfirmuar me koronavirus deri më tani. Kryetari Ragip Begaj ka treguar se sot janë testuar edhe disa persona të tjerë për të parë nëse janë prekur apo jo me koronavirus
66 persona të konfirmuar, rreth 15 të shëruar dhe 1 i vdekur nga virusi COVID-19 është bilanci në Malishevë
Kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj, ka thënë se janë marrë edhe mostra të reja të cilat janë testuar sot.
“Qe tri ditë nuk kemi pasur raste. Deri më tani janë 66 persona të porekur, rreth 15 të shëruar dhe 1 i vdekur. Sot janë kryer disa teste, shpresojmë se do të dalin negative”, ka thënë Begaj.
Ndërkohë Begaj ka treguar se gjendja shëndetësore e personave të prekur me koronavirus nga Malisheva është stabile.
Ai thotë se është e pamundur të shmangen kontaktet e njerëzve, ani pse kjo është kërkesa që më së shumti po iu bëhet qytetarëve.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë mbrëmjen e së shtunës ka njoftuar se janë shënuar 17 raste të pickimit nga rriqrat në Malishevë.
Kryetari Begaj tha se krahasuar me vitet tjera, këtë vit ka më pak raste të pickimit nga rriqrat.
“Raste të pickimit nga rriqrat kemi përgjysë më pak se vitet tjera në periudhën e njëjtë kohore. Ndërkaq qe 7 vite nuk kemi asnjë rast me ethe hemorragjike në komunën tonë”, theksoi Begaj.
Ai tha se vendimet e Qeverisë po respektohen nga banorët e Malishevës.
Ndërkohë, numri i personave të prekur me virusin COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 283, derisa 58 nga ta janë shëruar dhe 7 kanë vdekur.
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës vazhdimisht po bëjnë apel tek qytetarët që të shmangin daljet e panevojshme.
Qytetarëve po u kërkohet që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Deri më tani, tetë qytete të Kosovës janë shpallur zonë karantinë. Prishtina, Ferizaj, Malisheva, Vitia, Suhareka, Klina, Zveqani e Mitrovica e veriut janë qytetet në të cilat tashmë nuk lejohen hyrje-daljet pa pasur leje nga institucionet kompetente.