Macron viziton vendin ku iu pre koka mësuesit që u shfaqi nxënësve karikatura të Profetit Muhamed
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e ka quajtur “sulm terrorist islamik” vrasjen e një mësuesi në periferi të Parisit. Viktima, të cilit iu pre koka, thuhet se ka shfaqur karikatura të Profetit Muhamed para nxënësve të tij.
Sulmuesi është qëlluar për vdekje nga autoritetet e rendit, ndërsa presidenti Macron tha se mësuesi është vrarë sepse ka mësuar “lirinë e shprehjes”.
“Ata nuk do të fitojnë… Ne do të veprojmë”, tha Macron teksa vizitoi vendin ku ndodhi vrasja.
Duke qëndruar para shkollës së mesme ku viktima u sulmua, Macron tha se “një qytetar u vra sot sepse ishte mësues dhe sepse ai mësonte lirinë e shprehjes”.
Viktima ishte 47-vjeçari Samuel Paty, mësues i historisë dhe gjeografisë në shkollën e komunës Conflans Saint-Honorine, në veriperëndim të kryeqytetit francez.
Sulmi ndodhi rreth orës 17:00 sipas kohës lokale gjatë të premtes. Sipas autoriteteve, vrasësi i dyshuar ishte një refugjat çeçen 18-vjeçar i armatosur, i cili më vonë u qëllua për vdekje nga oficerët.
Ngjarja po hetohet nga prokurorët për terrorizëm. /A2CNN