Macron shkarkon ministrin e Brendshëm
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, shkarkoi të hënën nga detyra ministrin e Brendshëm, Christophe Castaner.
Shkarkimi është pjesë e një riorganizimi të kabinetit qeveritar, pas protestave për brutalitetin e policisë.
Castaner është kritikuar për veprime të ashpra të policisë kundër protestuesve, të cilët janë nxitur nga vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd gjatë arrestimit nga policia në Mineapolis të SHBA-së.
Macron emëroi në vend të tij ish-ministrin e Buxhetit, Gerlad Darmanin.
Ai e zëvendësoi edhe ministrin e Drejtësisë dhe atë të Ekologjisë.
Ndryshimet vijnë pak ditë pasi Macron shkarkoi kryeministrin Edouard Philippe, pas tre vjetësh në këtë post, duke e zëvendësuar me Jean Castex.
Macron shkroi të dielën në Twitter se Franca duhet të “krijojë një rrugë të re” për të trajtuar trazirat dhe krizat ndërkombëtare që po i përjeton.
Macron është zgjedhur president i Francës në vitin 2017, pjesërisht me premtimin për një ekonomi të fuqishme.
Por, pandemia e coronavirusit i ka dobësuar ekonomitë në shumë vende, të cilat janë detyruar të izolohen.
Mandati i Macronit përfundon në vitin 2022 dhe ai nuk ka deklaruar nëse do të garojë për rizgjedhje ose jo. /rel/