Macron me tri mesazhe në Beograd, njëri prej tyre ka lidhje me Kosovën
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka tri pika kryesore të temave që do të diskutohen gjatë vizitës së tij të planifikuar në Serbi.
Mbështetja për çështjen e caktimit të kufijve, intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik dhe ushtarak janë tri pikat kryesore të pakos me të cilën presidenti francez Emmanuel Macron do ta vizitojë Beogradin më 16 korrik.
“Se nuk është një politikan i cili ka vija të kuqe kur bëhet fjalë për zgjidhjen e nyjes së Kosovës, Macron e ka demonstruar edhe në samitin e Berlinit, ku sipas mediave franceze dhe gjermane, hapur dhe fuqishëm ka qëndruar përballë kancelares gjermane, Angela Merkel”, shkruan portali serb “Telegraf”.
Macron thuhej se në Samitin e Berlinit kishte kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj heqjen e taksës ndaj mallrave serbe.
Por, Haradinaj kishte një kundër kërkesë për Macronin duke i kërkuar që ta bind Serbinë ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Mediumi serb shkruan se Franca do të jetë një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomik të Serbisë.
Macron para vizitës së tij në Beograd do të ketë mundësi të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Paris për raundin e dytë të Samitit.