Lutfi Haziri thotë se për Kosovën janë dy javët vendimtare në luftën kundër Covid-19
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka mbajtur takimin me përfaqësuesit e të gjitha institucioneve që janë pjesë e angazhimeve të vazhdueshme në kuadër të menaxhimit të situatës emergjente dhe është kërkuar vetëpërmbajtje edhe më e madhe qytetare në këto dy javët e ardhshme të prillit.
“Bazuar në rekomandimet e mjekëve, ekspertëve dhe rekomandimeve të institucioneve shtetërore, kërkojmë një përkrahje edhe më të madhe qytetare, që të kemi vetpërmbajtje edhe në këto dy javët e ardhshme sepse situata është e tillë që kërkon kujdes edhe më të madh. Nuk ka asnjë element për shqetësim, përpos kujdesit të vazhdueshëm në higjienë dhe ruajtje të komunikimit në distancë. Këtë e kërkojmë me qëllimin që të mos qëlloni në vendin e padëshiruar në kohën më të keqe”, ka thënë kryetari Haziri.
Haziri ka potencuar se ky është një virus infektiv me shumë të panjohura, prandaj vetizolimi sipas deklarimit të tij është zgjidhja më e mirë.
“Gjendja në komunën e Gjilanit është e qetë dhe stabile, në bazë të raporteve të shëndetësisë në të gjitha nivelet, gjithashtu edhe sa i përket rendit dhe rregullit, por kërkohet kujdes edhe më i madh. Sot është dita e 24-të e përballjes më pandeminë Covid-19 dhe një lajm i mirë është se për tetë ditët e fundit nuk e kemi asnjë rast të dyshuar”, ka njoftuar kryetari Haziri.
Ai, gjithashtu, ka apeluar të gjithë komunitetin e biznesit i cili është duke dhënë shërbime, pastaj institucionet bankare, institucionet tjera shërbyese, private dhe publike pa dallime, që të vendosin masat e vetëdijësimit të qytetarëve për mbajtjen e distancës dhe përdorimin e masave higjienike e sanitare konform ligjit, në të kundërtën detyrohemi që përmes inspeksionit dhe Policisë së Kosovës, të mbyllim veprimtaritë që ato kanë.
“Rregullat e obligueshme duhet të zbatohen në mënyrën strikte, në të kundërtën është i domosdoshëm invervenimi me organet e rendit. Nuk lejojmë askënd që të ketë grumbullim më shumë se 4 persona, prandaj apelojmë që të respektohen rekomandimet e ekspertëve dhe profesionistëve”.
Komuna e Gjilanit është duke bërë pastrimin dhe dezinfektimin e vazhdueshëm të rrugëve
Gjithashtu, kryetari Haziri ka potencuar veprimet që është duke i ndërmarrë Komuna e Gjilanit në pastrimin dhe larjen e rrugëve dhe trotuareve në vazhdimësi si dhe dezinfektimin e tyre në zonën urbane dhe do të vazhdohet edhe në zonat rurale kryesisht fshatrat e mëdha.
Apelohet gjithashtu që asnjë qytetarë të mos haset në deponinë regjionale sepse ajo zonë mund të jetë potencial për sëmundje të ndryshme, por edhe për Covid 19. Në të njejtën kohë, kryetari Haziri ka bërë thirrje për largimin e të gjitha panove nga objektet publike dhe ndërtesat me bashkëpronarë.
“Nuk është koha për aktivitete komerciale dhe as mesazhe politike. Të gjitha panot dhe reklamat e ndryshme që janë të vendosura tashmë nëpër pjesë të ndryshme të qytetit, kanë afatin që të largohen deri këtë të premte, në të kundërtën ato do të largohen nga autoritetet komunale, në mënyrë që të krijohet hapësira për mesazhin për shëndetin publik”, ka thënë kryetari Haziri.
Kuvendi i Komunës do të mblidhet nesër për të ndihmuar përballjen me Covid 19
Kuvendi i Komunës është ftuar për një seancë të jashtëzakonshme me ftesë të kryesueses së Kuvendit dhe me rekomandimin e Haziri, për rialokimin e mjeteve për nevojat emergjente.
“Në kuadër të ligjit është bërë kërkesë për një fond shtesë për fushën e emergjencës dhe kjo me arsyetimin se në bazë të ligjit kemi të drejtën në nivelin lokal , që 5 përqind të mjeteve të alokuara për investimet publike, mund të alokohen për nevoja të emergjencave. Ne kemi rekomanduar që 250 mijë euro përmes votimit nga Kuvendi Komunal t’i ndajmë për mbrojtjen e shëndetit publik. Gjithashtu, para këshilltarëve komunal do të jepet një raport për gjendjen dhe masat e ndërmarra të ekipit në ruajtjen e shëndetit publik”, ka njoftuar ai.
Gjithashtu, Haziri ka njoftuar se kjo mbledhje do të mbahet në hapësirën e gjimnazit “Xhavit Ahmeti”, në bazë të kushteve që ka rekomanduar Qendra e Shëndetit Publik në Gjilan. Kjo mbledhje është me destinim dhe ka kushtet për mbajtjen e saj.
Ai, po ashtu, ka falënderuar ndërmarrësit e Gjilanit, me ndihmën e të cilëve mbi 1300 familje në nevojë janë mbështur.
Mesazhet e përfaqësuesve të institucioneve janë në funksion të mbrojtjes së shëndetit
Në mesazhin e saj, Dr. Ajhane Sefiu nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik, ka porositur qytetarët e regjionit të Gjilanit që të kenë kujdesin dhe vigjilencën maksimale në ruajtje të shëndetit dhe kujdes maskimal për të moshuarit dhe fëmijët.
Ndërsa në paraqitjen e tij, dr. Ukshin Ismajli, drejtor klinik në Spitalin e Përgjithshëm, ka thënë që është i domosdoshëm qëndrimi në shtëpi. “Mos i jepni këmbë virusit, por të ecim përpara së bashku”, tha ai.
Dr. Fejzulla Berisha, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ka thënë se shërbimi i nivelit primar është në gjendje gatishmërie 24 orë dhe shërbimet do të ofrohen në shtëpitë tuaja.
Ndërsa, Rabit Murseli, komandant i Njësisë së Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, ka kërkuar që të gjithë qytetarët të rrinë në shtëpi dhe ti kursejnë intervenimet e tyre.
Kryetari I Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, ka porositur nevojën e madhe të qëndrimit të shtëpi dhe të përkujdesen për veten dhe familjet e tyre.
Sali Mustafa nga emergjenca 112 në Gjilan, ka thënë se të gjitha shërbimet e emergjencës do të ofrohen në kohën optimale kudo që ndodhen në Komunën e Gjilanit.
Agim Lipovica, komandant i Stacionit Policor në Gjilan, ka kërkuar vetpërmbajtje dhe shmangie të daljes në qytet me qëllim të parandalimit të covid-19, por për çdo gjë, ka porositur që të telefonojnë numrin 192.
Ndërsa, Fadil Kajtazi, udhëheqës i operacioneve ka potencuar se edhe dy javë janë në pyetje për të fituar ndaj këtij virusi të padukshëm.
Nnënkryetari, i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka njoftuar se të gjithë kryetarët e këshillave të fshatrave dhe lagjeve të qytetit i kanë takuar në kuadër të luftës kundër Covid-19.
“Komuna e Gjilanit do të trajtoj çdo kërkesë të tyre me apelin që të qëndrojnë në shtëpi, sepse institucionet lokale do të kujdesen edhe për ushqimin por edhe për të gjitha gjërat tjera në këtë gjendje pandemie”, ka thënë Ismajli.