Lutfi Haziri: Koalicioni me Vetëvendosjen një hap para, dy mbrapa
Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, e vlerësoi koalicionin e kësaj partie me Vetëvendosjen si një hap para dhe dy mbrapa.
Këto komente Haziri i bëri në Klan Kosova, me ç’rast foli për formimin e këtij koalicioni dhe lidhur me atë se si erdhi deri tek mocioni për rrëzimin e qeverisë.
“Kam qenë i angazhuar nga Isa Mustafa që të kontribuoj në arritjen e një marrëveshje që e pastron nga bombat politike koalicionin – largimi i fushës së minuar politike. Në atë kohe i kemi parapa të gjitha këto që në fakt dukeshin problematike. Kishim edhe shkrirjet ideologjike në një planprogram, që është mjaft e vështirë të arrihet. Ne arritëm me i përballu këto problem, arritëm ta ndërtonim një kulturë të përbashkët në fushën e sundimit të ligjit, për reformat në arsim dhe shëndetësi për FSK-në”.
“Tek dialogu natyrisht që me formulë politike e kemi përballuar marrëveshjen dhe si e tillë është e bazuar dhe ka qenë me të drejtë. Hapi i parë mbrapa ishte mos ruajtja e partneritetit me SHBA-të. Nëse hapi i parë para ishte arritja e marrëveshjes së koalicionit, hapi i parë mbrapa ishte mos ruajtja e partneritetit me Amerikën”.
Haziri tha se javët e para ishin entuziaste, duke theksuar se u arrit shtensionimi i raporteve të Kosovës me BE-në, mirëpo se e njëjta gjë nuk ndodhi me SHBA-te.
“Emisari i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, vjen me pëlqimin e plotë edhe të BE-së edhe të Shtëpisë së Bardhë dhe ai tashmë ka filluar ushtrimin e detyrave të tij si emisar për dialogun Kosovë-Serbi”.
“Preambula dhe parimet për një marrëveshje të mundshme gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë do të kenë qëndrime të njëjta në mes të Brukselit dhe Uashingtonit. Ka një dakordim në parime definitivisht dhe kjo pritet të ndodhë”.
“Nuk ka të bëjë vetëm me rolin e LDK-së për inicimin e mocionit, por edhe me humbjen e durimit të partnerëve tanë. Nuk është ndërhyrje e politikës amerikane në Kosovë, ata kanë parapëlqyer dhe pëlqejnë qeveri të stabilitetit ku njerëzit që premtojnë të zbatojnë diçka e mbajnë fjalën”.
Nënkryetari i LDK-së pohoi se hapi i dytë mbrapa në koalicioni VV-LDK, ishte shkarkimi i Ministrit të Brendshëm Agim Veliu.
Sa i përket situatës së re politike të krijuar në vend pas rrëzimit të Qeverise Kurti, me mocionin e inicuar nga LDK-ja, Haziri theksoi se kjo e fundit ende favorizon krijimin e një qeverie gjithpërfshirëse të mundshme, ngase sipas tij, është më e mirë dhe e sigurt në kuptimin e stabilitetit politik.