Lutfi Haziri heq dorë nga Gjilani, synon postin e kryetarit të LDK-së
Katër muaj u deshën që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të arrijnë një marrëveshje për bashkëqeverisje dhe të krijojnë institucionet e reja. Por, duket se nuk do të shkojë edhe shumë gjatë dhe zhvillime të reja do të ndodhin në vend. Lufti Haziri konfirmon se ka hequr dorë nga gara lokale në Gjilan, ndërsa ka lënë të nënkuptohet se po bëhet gati të merr poste të rëndësishme në Prishtinë.
Pasi grupet punuese kryen gjithë punën për harmonizimin e programit të përbashkët qeverisës, lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk arrinin të merreshin vesh për ndarjen e posteve.
Madje, në takimet e para, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, kërkonte që të sqarohet posti i presidentit dhe mandej të formalizohej marrëveshja për Qeveri.
Por, koalicioni u arrit e çështja e këtij posti mbeti pa u sqaruar mirë. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në një intervistë për FaktePlus thotë se tani për tani nuk do të flitet për këtë temë, porse kur të vjen koha kandidati për president do të jetë nga radhët e LDK-së.
“Për vendet e zëna mos të flasim tash, unë edhe ashtu kam thënë dhe më herët duhet me largu frikën e dështimit të zgjedhjes së presidentit. Ne jemi të sigurt që e kemi larguar këtë. Liderët në deskrecion kanë me vendos për një kandidat që vjen nga radha e LDK-së për president dhe që është i pranueshëm për opozitën dhe të gjithë njerëzit, sepse ndryshe ne nuk mundemi me zgjedh”, tha Haziri për FaktePlus.
Edhe në këtë rast, Haziri ka ritheksuar se shefi i tij aktual i partisë është kandidati i pakontestueshëm për president.
“Kam thënë, se nëse nesër janë zgjedhjet për president, Isa Mustafa është kandidat i pakontestueshëm nuk bisedohet. Emër tjetër nuk kemi lakuar asnjëherë. Por zgjedhjet nuk janë nesër dhe ai ka kërkuar që të mos diskutohet as emri i tij dhe as i të tjerëve. Kjo çështje është e mbyllur besoj deri në shkurt të vitit të ardhshëm. Mendoj që nuk duhet me u bisedu për çështje të presidentit”, tha.
Megjithatë, me shkuarjen e Mustafës në Presidencë, LDK duhet të zgjedh edhe kryetarin e ri të partisë.
Kështu duket se nuk do të shkojë edhe shumë gjatë dhe zhvillime të reja do të ndodhin në vend. Kjo pasi Lufti Haziri konfirmon se ka hequr dorë nga gara lokale në Gjilan, ndërsa ka lënë të nënkuptohet se po bëhet gati të merr poste të rëndësishme në Prishtinë.
“Natyrisht që nuk do të jem më kryetar. Është mandati jem i katërt, nuk besoj që ka pas në Gjilan kryetar me mandat më të gjatë. Tash po e kryej edhe këtë mandat katërt timin. Gjilani më ka bërë nder se më ka bërë kryetar 29 vjeç dhe ka besuar dhe unë ia kam pas borxh me ia kthy me punë”.
Haziri në një bisedë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka treguar se a ka ambicie për të marrë drejtimin e partisë dhe në çfarë mënyre.
“Ky është proces krejt i ri. Janë zgjedhje krejt të reja. Unë i favorizoj gjithmonë marrëveshjet politike, nuk favorizoj në asnjë mënyrë forma dhe metoda tjera. Demokracia e brendshme do të zhvillohet në përputhje me standardet që i kemi ndërtuar ne deri tash, do të zhvillohet edhe më shumë por marrëveshjet politike janë ato që i japin zgjidhje gjithmonë gjithçkaje”, shprehet ai.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka treguar edhe për negociatat që kanë zhvilluar për arritjen e koalicionit aktual, si dhe momentin kur LDK i tha PO koalicionit me Vetëvendosjen.
“Momenti përfundimtar ka qenë, fundi i 30 ose 31 janarit, sepse u formalizu me 1 shkurt. Vullnetin politik me kry me çdo kusht, kjo ka qenë determinuese, pastaj pragmatizmi dhe kompromiset kanë ardhur pas kësaj. Por kur kemi ardhur në një pikë që të dy palët me kry këtë punë, së pari kemi thënë a po e bëjmë marrëveshjen, po, pastaj kanë ndodhur hapat tjerë. Isa Mustafa i pari dhe Albin Kurti bashkë që i thanë po kësaj marrëveshje… të dy liderët kanë thënë se duhet me ndodhë kjo marrëveshje sepse të dy palëve iu konvenon, kompromise ka pas të dy palët kanë bërë kompromise. Parimi i barazisë në përfaqësim ka ndodhur”, është shprehur Haziri.
Kjo është intervista e plotë me Lutfi Hazirin:
FaktePlus: z.Haziri a do të kandidoni më për kryetar të Gjilanit dhe cila do të jetë e ardhmja juaj politike?
Haziri: Natyrisht që nuk do të jem. Është mandati jem i katërt nuk besoj që ka pas në Gjilan kryetar me mandat më të gjatë. Nuk e kam parë historikun, por për këto 20 vjet nuk ka pas po përtej kësaj nuk ka pas.
Tash po e kryej edhe këtë mandat të katërt timin. Gjilani më ka bërë nder se më ka bërë kryetar 29 vjeç dhe ka besuar dhe unë ia kam pas borxh t’ia kthej me punë.
FaktePlus: Ku do të jetë Haziri pas kësaj?
Haziri: Unë do të vazhdoj me qenë qytetar i Gjilanit, do të jetoj në Gjilan. Politikisht i angazhuar sigurisht, por për momentin asnjë plan tjetër pos me përfundu mandatin e kryetarit të Gjilanit nuk kam.
FaktePlus: Na tregoni një situatë në momentin kur u mor vendim që LDK të shkoj në koalicion me LVV?
Haziri: Momenti përfundimtar ka qenë, fundi i janarit, 31 ose 30 janari, sepse u formalizu me 1 shkurt. Vullnetin politik me kry me çdo kusht, kjo ka qenë determinuese, pastaj pragmatizmi dhe kompromiset kanë ardhur pas kësaj. Por kur kemi ardhur në një pikë që të dy palët me kry këtë punë, së pari kemi thënë a po e bëjmë marrëveshjen, po, pastaj kanë ndodhur hapat tjerë.
FaktePlus: Kush tha, PO, do të bëhet marrëveshja LVV-LDK?
Haziri: Isa Mustafa i pari dhe Albin Kurti bashkë. Ne kemi ndihmuar, unë dhe Vjosa për arritjen e marrëveshjes. Ne kemi arritur me lehtësi deri në atë pikë saqë të dy liderët kanë thënë se duhet me ndodhë kjo marrëveshje, sepse të dy palëve ju konvenon, kompromise ka pasur, të dy palët kanë bërë kompromise. Parimi i barazisë në përfaqësim ka ndodhur.
FaktePlus: Puna e presidentit nuk është sqaruar mirë. Si do të veprohet kur vjen puna te presidenti?
Haziri: Për vendet e zëna mos të flasim tash, unë edhe ashtu kam thënë dhe më herët duhet me largu frikën e dështimit të zgjedhjes së presidentit . Ne jemi të sigurt që e kemi larguar këtë. Liderët në deskrecion kanë me vendos për një kandidat që vjen nga radha e LDK-së për president dhe që është i pranueshëm për opozitën dhe të gjithë njerëzit sepse ndryshe ne nuk mundemi me zgjedh.
FaktePlus: A do të jeni ju kandidati për president?
Haziri: Kam thënë, se nëse nesër janë zgjedhjet për president, Isa Mustafa është kandidat i pakontestueshëm, nuk bisedohet. Emër tjetër nuk kemi lakuar asnjëherë. Por zgjedhjet nuk janë nesër dhe ai ka kërkuar që të mos diskutohet as emri i tij dhe as i të tjerëve. Kjo çështje është e mbyllur besoj deri në shkurt të vitit të ardhshëm. Mendoj që nuk duhet me u bisedu për çështje të presidentit. Një president është duke e ushtruar detyrën dhe ai duhet me e ushtru në kapacitet kushtetuese që i ka sot. Dhe është nj derë e sigurt edhe për opozitën. Nëse partive në qeverisje sot nuk iu pëlqen ose e kanë një mosbesim më të madh ndaj tyre, së paku opozita e kanë besim më të madh dhe një president që mund të balancon proceset politike sidomos gjatë fazës së negociatave me Serbinë.
FaktePlus: Shkuarja e Isa Mustafës si president, a ta hap rrugën ty që të marrësh timonin e Lidhjes Demokratike të Kosovës?
Haziri: Ky është proces krejt i ri. Janë zgjedhje krejt të reja. Unë i favorizoj gjithmonë marrëveshjet politike, nuk favorizoj në asnjë mënyrë forma dhe metoda tjera. Demokracia e brendshme do të zhvillohet në përputhje me standardet që i kemi ndërtuar ne deri tash do të zhvillohet edhe më shumë, por marrëveshjet politike i japin zgjidhje gjithmonë gjithçkaje. Sikurse tash, kemi pas zgjedhje populli ka fol, ka votu, ka votu 5 parti shqiptare dhe 7 ose 8 të minoriteteve në fund rezultatin e ka dhënë marrëveshja politike e jo vota. Vota ka treguar ka po shkon procesi por marrëveshja politike është që i rëndon i karakterizon iu jep njerëzve pozita.