“Luksi Akademik”, ku i shpenzuan mbi 1.2 milion euro akademikët e Kosovës
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) që drejtohet aktualisht nga akademik Nexhat Daci, gjatë vitit 2018 ka bërë shpenzime prej qindra mijëra euro në udhëtimet zyrtare, thirrje telefonike, furnizime për zyrë dhe sigurim të ndërtesave. E qindra mijëra euro ASHAK-ut i kanë shkuar edhe në paga e mëditje për 55 punonjësit e saj.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin që ka publikuar për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), ka treguar se ky institucion brenda një viti ka shpenzuar mbi 1 milion e 200 mijë euro.
Mbi 388 mijë euro në mallra, shërbime, telefoni dhe udhëtime
Sipas ZKA-së, shpenzimet më të mëdha janë bërë për udhëtimet zyrtare, shpenzimet e telefonisë mobile, shpenzimet për arsim dhe trajnim, shërbimet intelektuale dhe këshillëdhënëse, mandej edhe për paga dhe mëditje.
“Buxheti final për mallra e shërbime duke përfshirë edhe shërbimet komunale për vitin 2018 ishte 393,312 euro. Prej tyre janë shpenzuar 388,098 euro. Pjesa më e madhe e shpenzimeve në këto kategori përfshijnë shpenzime operative si, udhëtimet zyrtare, shpenzimet e telefonisë mobile, shpenzimet për arsim dhe trajnim, shërbimet intelektuale dhe këshillëdhënëse, furnizimet për zyrë, sigurimi i ndërtesave, si dhe shpenzimet komunale”, thuhet në raportin e Auditorit.
Paga dhe mëditje mbi 800 mijë euro
Zyra e Auditorit ka treguar po ashtu se qindra mijëra euro ASHAK-ut i kanë shkuar edhe për paga dhe mëditje të 55 punonjësve të saj.
“Shpenzimet për paga dhe mëditje gjatë vitit 2018 ishin 831 mijë e 132 euro, apo në masën prej 100%. Numri i aprovuar i të punësuarve në ASHAK ishte 55, ndërsa numri aktual i të punësuarve në fund të vitit ishte 54 punonjës”, shkruan FaktePlus.
Edhe me borxhe
Përkundër shpenzimeve të mëdha Akademikët e Kosovës vitin 2018 e kanë mbyllur edhe me disa borxhe. ZKA ka treguar se këto borxhe janë bartur për t’u paguar në vitin 2019, për shkak se faturat kanë arritur me vonesë.
“Obligimet e papaguara – Pasqyra e obligimeve të papaguara ndaj furnitorëve në fund të vitit 2018 ishte 2 mijë e 955 euro. Këto obligime janë bartur për t’u paguar në vitin 2019. Arsyeja e mos pagesës ishte pranimi i faturave në fillim të vitit 2019”.
Zyra e Auditorit ka bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) i janë rritur të hyrat pak mbi 7 mijë euro dhe kjo rritje siç tregohet është bërë nga shitja e librave.
“Të hyrat e realizuara nga ASHAK për vitin 2018 ishin në vlerë 15 mijë e 388 euro. Ky nivel i inkasimit të hyrave është më i lartë se në vitin e kaluar për 7 mijë e 417 euro apo 52%. Rritja e të hyrave është si rezultat i shitjes më të madhe të librave”.
Gjysmë milioni për Fjalorin Enciklopedik që u vlerësua i dështuar
E kujtojmë se gjatë vitit të kaluar Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) ka qenë njëri ndër institucionet më të kritikuara në vend.
Kritikat ASHAK-ut iu bënë për projektin më të madh e rëndësishëm të saj, për Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, i cili shtetit i ka kushtuar gjysmë milioni euro, por që pati shumë mangësi.
Menjëherë pasi doli nga shtypi Fjalori Enciklopedik i Kosovës edhe nisën kritikat për të. Reagimet erdhën nga persona të shumtë, të cilët edhe vlerësuan se ky fjalor enciklopedik është hartuar pa asnjë kriter, përjashtimisht kriterit familjar të kryeredaktorit Mehmet Kraja, i cili gjeti vend të fus në fjalor emrat e fëmijëve të tij, por la jashtë personalitete me nam të Kosovës.
Kraja nuk gjeti vend në Fjalor për ish- kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepin, mandej për Heroin e Shtetit të Kosovës, Enver Zymberin. Po ashtu, në këtë fjalor nuk u gjet vend në asnjë faqe as për heronj të luftës çlirimtare të UÇK-së, siç është rasti me heroin Imer Alushani, e shumë të tjerë.
Njëri nga redaktorët e këtij fjalori, profesor Milazim Krasniqi e pati quajtur fjalorin projekt të dështuar për të cilin Mehmet Kraja ka shpenzuar rreth gjysmë milioni euro para të shtetit.
“Kryeredaktor i Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, është emërtuar njeriu që nuk ka kurrfarë formimi shkencor, pra, asnjë gradë shkencore”, ka thënë mes tjerash Krasniqi.
Për këtë fjalor kritika janë dhënë edhe nga vetë kryetari aktual i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Daci, i cili tha se janë bërë lëshime.
E Akademik Rexhep Qosja ka thënë se Fjalori Enciklopedik është fryt i zi i korrupsionit.
Sipas Qosjes, Fjalori nuk i plotëson kriteret elementare për t’u quajtur si i tillë dhe ndër tjera në përmbajtje është edhe kundër kombëtar.
Kurse profesori dhe intelektuali Blerim Latifi, Fjalorin Enciklopedik të Kosovës me kryeredaktor Mehmet Krajën, e ka krahasuar me listën e fryrë të veteranëve të UÇK-së./FaktePlus