Luksemburgu premton mbështetje në arsim e shëndetësi
Ambasadorja e Luksemburgut, Natacha Gomes, ka premtuar se vendi i saj do të vazhdojë të mbështesë Kosovën me ekspertizë në sferën e ndërmarrjeve të vogla e të mesme si dhe në atë të shëndetësisë e arsimit.
Ambasadorja Gomes, këto premtime i dha të martën, në takimin që pati me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur Zyra për Informim e Kuvendit.
“Ndërkaq kryekuvendarja Osmani ka falënderuar ambasadoren për ndihmën nga shteti i Luksemburgut, duke kërkuar gjithashtu shtrirjen e bashkëpunimit në sferën e parlamentarizmit dhe të grupeve të miqësisë ndërparlamentare”, thuhet në njoftim.
Sipas komunikatës, Osmani ka bërë të ditur se një nga synimet e saj në krye të Kuvendit do të jetë edhe çështja e mjedisit.
“Në këtë kontekst, Osmani ka thënë se duhet bërë më shumë për politikat mjedisore që synojnë uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, zhvillimin e energjisë së ripërtërishme si dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, vazhdon tutje komunikata.