Luftoni për Evropën – ose shkatërruesit do ta shkatërrojnë
Ideja e Evropës është në rrezik. Nga të gjitha anët ka kritika, fyerje dhe shmangie nga kauza.
“Mjaft me ‘ndërtimin e Evropës!’” – është britma. Në vend të kësaj, të mishërohemi sërish me “shpirtin tonë!” Le t’i rikthehemi “identitetit tonë të humbur”! Kjo është agjenda që e ndajnë forcat populiste që po përlajnë kontinentin. Nuk ka rëndësi se shprehjet e tilla abstrakte, si “shpirti” dhe “identiteti”, shpesh ekzistojnë vetëm në imagjinatën e demagogëve.
Evropa po sulmohet prej profetëve të rrejshëm, të cilët janë dehur nga pakënaqësia, dhe janë në dëlirë prej mundësisë për të rrokur vëmendjen. Evropa është braktisur nga dy aleatët e mëdhenj, të cilët dy herë gjatë shekullit të kaluar e shpëtuan nga vetëvrasja; njëri aleat matanë Kanalit dhe tjetri matanë Atlantikut.
Kontinenti po cenohet prej përzierjes së pacipë në ngritje të pushtuesit të Kremlinit. Evropa, si ide, po shpartallohet para syve tanë.
Kjo është fryma helmuese në të cilën do të mbahen në maj zgjedhjet parlamentare të Evropës. Përderisa nuk do të ndryshojë diçka; përderisa nuk ia ndal turrin kësaj dallge ngulmuese e në ngritje; përderisa nuk çon krye një frymë e re rezistence, këto zgjedhje premtojnë të rezultojnë si më shkatërrimtaret që kemi parë deri më tani. Ato do t’ua japin fitoren shkatërruesve.
Për ata që ende besojnë në trashëgiminë e Erasmusit, Dantes, Goethes dhe Comenisuit, do të ketë vetëm humbje poshtëruese. Do të triumfojë politika e përbuzjes për inteligjencën dhe kulturën. Do të ketë shpërthim ksenofobie dhe antisemitizmi. Ne do të na pllakosë hataja, shkruan Koha Ditore.
Ne, firmëtarët e këtij opinioni, jemi ndër ata që refuzojnë të dorëzohemi para kësaj katastrofe që po kanoset.
Nënshkrues i opinionit është edhe shkrimtari shqiptar Ismail Kadare. /FaktePlus