“Luftë sindikatash”- cila po kërkon implementim dhe cila pezullim të Ligjit të ri të Pagave
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Sindikata e Policisë dhe ajo e Arsimit assesi nuk po pajtohen me vendimin e institucionit të Avokatit të Popullit, i cili ka kërkuar vlerësim të Ligjit të ri të Pagave.
Madje, këto sindikata nuk kanë përjashtuar as veprimet sindikale, duke përfshirë grevat dhe protestat në rast se ky ligj pezullohet nga Gjykata Kushtetuese, shkruan FaktePlus.
Përfaqësues të këtyre tri sindikatave kanë kërkuar që të mërkurën të zhvillojnë takim me presidentin e vendit, Hashim Thaçi dhe kryeministrin në detyrë Ramush Haradinaj, si dhe me liderë të subjekteve politike, por që deri më tani përpos Lëvizjes Vetëvendosje nga askush tjetër nuk kanë marrë përgjigje.
Që të tri sindikatat ende nuk kanë marrë përgjigje as nga dy institucionet më të larta të vendit siç është presidenca dhe kryeministria.
FaktePlus, ka kërkuar përgjigje për këtë çështje në të dyja këto institucione se a janë duke shqyrtuar mundësinë që të takohen me këto sindikata, por as njëra e as tjetra nuk kanë kthyer përgjigje.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj ka thënë për FaktePlus se për të gjitha veprimet që do t’i ndërmarrin do të vendosen nga Këshilli Drejtues i SBAShK-ut.
Ai ka thënë se ka frikë se kjo javë do të jetë edhe java kur do të ndodhin veprimet e para sindikale.
“Jam tepër i sigurt nga ajo që po komunikoj me kolegët e mi nëpër komuna dhe në universitete do të marrin veprim që të fillohet me veprime sindikale, çfarë do të jenë ato nuk mund të flas, pra nuk mund të preudikoj ngase është vendim i tyre dhe unë po them e imja është që vendimin e Këshillit Drejtues dhe të kryetarëve do ta zbatoj. Unë kam frikë se në këtë javë nëse ka lëvizje negative se kjo javë do të shënoj edhe veprimet e para sindikale. Nga situata dhe nga ajo çka kam parë dhe nga zhgënjimi te punëtorët e arsimit kamë frike se në këtë javë edhe mund të ketë veprime të para sindikale, nëse Gjykata e pezullon”, ka thënë ai për FaktePlus.
Jasharaj, ka treguar se i vetmi i cili iu ka konfirmuar takimin është kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.
“Jo përgjigje nuk kemi marrë as nga presidenti as nga kryeministri në detyrë . Ajo që e di është se kemi marrë një sinjal se mbase nesër do të kemi një takim me kryetarin e Vetëvendosjes dhe kandidatin për kryeministër, Albin Kurti për ti shprehur shqetësimet dhe për të kërkuar rrugëdalje edhe nga Kurti. Presim, mbase sot do të kemi edhe ftesa të tjera dhe po them do t’i shtjerrim të gjitha mundësitë se me dialog të tejkalohet kjo situatë dhe mund të them se është goxha e rëndë”, ka thënë Jasharaj.
Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli ka deklaruar se pavarësisht kërkesave për takime ende nuk kanë marrë përgjigje as nga presidenca e as nga kryeministria.
“Nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga institucionet shtetërore, kurse vendimet për hapa të mëtutjeshëm i merr Këshilli Drejtues i Sindikatës”, ka thënë Tasholli.
Që nuk kanë marrë përgjigje për këto takime e ka konfirmuar për FaktePlus edhe kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla.
“Përveç Albin Kurti që na e ka konfirmu takimin të tjerët nuk kanë konfirmuar asnjë takim, as nuk kanë thirr takim”, ka thënë ai.
Mirëpo, ka thënë se nuk mund të flet për hapat e mëtutjeshëm, pasi që për këtë vendoset me Këshillat Drejtues të Sindikatave.
“Me Këshillat Drejtues të Sindikatave vendoset për hapat e mëtutjeshëm. Nuk di, nuk mundem ta paragjykoj se çfarë vendimi do të marrim sepse është Këshilli Drejtues dhe ata janë vendimmarrës, por megjithatë po shpresoj shumë që Gjykata Kushtetuese ta kryej punën e vet me nder dhe të mos merret me manipulime dhe keq interpretime që po bëhen. Po shpresoj që nëse Gjykata Kushtetuese thirret në të drejtën sociale atëherë ligji duhet të fillojë me u implementu. Mandej, për amandamentime ka kohë”, ka deklaruar Syla.
Por, jo të gjitha sindikatat janë të pajtimit që ky ligj të fillojë të implementohet.
Sindikata e Shërbyesve Civil dhe ajo e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës, që nga fillimi e kanë kundërshtuar këtë ligj. Madje, kanë bërë ankesë edhe tek Avokati i Popullit, duke kërkuar pezullimin e tij.
Kjo, pasi që sipas përfaqësuesve të këtyre sindikatave ky ligj ka shumë mangësi.
Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civil, Mursel Zymberi ka thënë për Fakte Plus se kjo sindikatë me kohë ka paralajmëruar dhe ka kërkuar nga presidenti që mos ta dekretojë këtë ligj, pasi që thotë se kanë vlerësuar se ligji i ri i pagave krijon ndasi dhe pabarazi.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese duhet të veprojë drejt dhe ta pezullojë këtë ligj.
“Gjykata Kushtetuese në këtë rast do të duhet me vendos drejtësi në vend dhe shpresojmë që institucioni i vetëm me kredibil i vendit ta vë drejtësinë në vend duke e pezulluar këtë ligj edhe duke e kthyer në rishqyrtim në parlament dhe duke e bërë barazinë e plotë”, ka thënë ai.
Mirëpo, pavarësisht paralajmërimit për greva dhe protesta Zymberi ka thënë se do t’i binden vendimit të Kushtetueses qoftë edhe nëse kjo e fundit merr vendim për mos pezullim të tij.
“Nëse e pezullon është kërkesa jonë dhe ajo sigurisht që do t’i kthehet Kuvendit. Nëse nuk e pezullon është vendim i saj që ne nuk mund të dalim të parët dhe të themi se Gjykata Kushtetuese nuk është apo ka bërë apo s’ka bërë drejt. Ne nuk bëjmë politikë, ne do ti bindemi vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por që mendoj dhe kemi baza të mjaftueshme se ky ligj duhet të pezullohet dhe duhet t’i kthehet Kuvendit dhe në këtë shpresojmë, por nëse Gjykata se pengon atëherë ne mendojmë se ka ndërhyrje politike”, ka deklaruar Zymberi.
Ndërsa, ndryshim të nenit 27 të këtij ligji kanë kërkuar nga Sindikata e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës (KEK).
Nexhat Llumnica, kryetar i kësaj sindikate ka thënë për FaktePlus se vendimi i Avokatit të Popullit për ta dërguar në Kushtetuese këtë ligj ka qenë i drejtë.
“Është vendim i drejtë i Avokatit që e ka dërguar në Kushtetuese dhe ka kryer detyrën e tij sepse Ligji për Paga aty ku përfshihemi edhe ne dmth në nenin 27 kuptohemi që nuk është çështja e ligjit. Ankesa jonë është vetëm te neni 27 i këtij ligji dhe nuk e pengojmë për pagat që janë aprovu në sektorin e shëndetësisë, policisë edhe të arsimit, mirëpo ne po e kërkojmë atë ku hyn edhe ndërmarrja jonë Korporata Elektroenergjetike e Kosovës. Duke pas parasysh që punëtorët e KEK-ut kanë rrezikshmëri, enden nëpër miniera dhe termocentrale me çizme”, ka thënë Llumnica.
Ai ka treguar edhe arsyen se përse po kërkojnë ndryshimin e nenit 27.
“Është një diskriminim që ligji për Ndërmarrjet Publike gjithherë po flas për nenin 27 do të thotë ka koeficientin prej 1 deri në 7 , ndërsa ata që marrin paga prej buxhetit të Qeverisë e kanë 1 deri në 10, ndërsa kompania jonë që jep 30 milionë euro buxhet shtetit të Kosovës më saktësisht Këshillit për Miniera dhe Minerale dhe ata de facto marrin paga prej neve kurse koeficienti të punëtorët e KEK-ut është 1 deri 7 a te ata që marrin paga prej buxhetit të Republikës së Kosovës koeficienti është 1 deri në 10 dhe kjo është shumë e paarsyeshme”, ka shtuar Llumnica.
Llumnica ka thënë se po kërkojnë vetëm ndryshimin e nenit 27 ku hyn ndërmarrjet publike dhe asgjë më shumë.
Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 82 mijë veta. Paga mesatare në sektorin publik, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018 ishte 573 euro.
Sipas Ligjit të ri, paga mujore më e ulëta është ajo e shtëpiakut prej 322 euro, 621 euro është paga e mësimdhënësve të shkollës së mesme, profesori i universitetit do të marrë 1.505 euro, kryeprokurori 1. 912 euro, kryeministri 2.151 dhe presidenti i Kosovës nga muaji dhjetor do të marrë pagën mujore në vlerë prej 2.390 eurosh./FaktePlus