“Lufta politike në Kuvend”, ekonomistët akuzojnë deputetët se ia humbën Kosovës miliona euro
Kuvendi i Kosovës ka dështuar t’i votoi pesë marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat kanë vlerë milionëshe për Kosovën. Mosvotimi i këtyre marrëveshjeve ka nervozuar fort ekonomistët e Kosovës. Arian Zeka, Berat Rukiqi e Safet Gerxhaliu, gjatë deklarimeve për FaktePlus, kanë thënë se kjo është papërgjegjësi dhe joseriozitet, dhe sipas tyre, marrëveshjet ndërkombëtare nuk duhet të jenë instrument i luftës politike.
Deputetët e Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës pamundësuan që të nënshkruhen marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo pasi që deputetët e kësaj partie deklaruan që nuk do të votojnë këto marrëveshje.
Mirëpo kjo qasje politike po kritikohet nga njohësit e ekonomisë. Ata thonë se marrëveshjet ndërkombëtare nuk duhet të jenë instrument i luftës politike dhe se veprime te tyre karshi kësaj po dëmtojnë vendin.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka thënë se problemet ekonomike të shkaktuara nga pandemia e bëjnë më se të nevojshme rritjen e huamarrjes nga ndërkombëtaret.
“Problemet ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID19 si dhe nevoja e ndërhyrjes së shtetit në përkrahje të ndërmarrjeve dhe punonjësve të afektuar, por edhe aftësia e kufizuar financiare e vendit për të ofruar një mbështetje të tillë, e bëjnë të nevojshme rritjen e huamarrjes ndërkombëtare”, tha Zeka për FaktePlus.
E në rrethana si kjo në të cilën gjendet Kosova, Zeka thekson se është më se i nevojshëm konsensusi politik dhe veprimi i shpejt i Kuvendit.
“Kjo kërkon me doemos aprovimin nga ana e Kuvendit dhe atë me votat e dy të tretës së deputetëve të Kuvendit. Në rrethana të tilla është jashtëzakonisht i nevojshëm konsensusi politik dhe veprimi i shpejtë i Kuvendit, meqë vonesat e mundshme në aprovimin e marrëveshjeve ndërkombëtare financiare por edhe në rishimin e buxhetit për vitin 2020 do të rezultojnë me vonesa në zbatimin e plotë të masave nga Pakoja Emergjente Fiskale por edhe në nisjen e zbatimit të masave nga Pakoja e Rimëkëmbjes, duke rrezikuar kështu mbijetesën e shumë ndërmarrjeve dhe mbylljen e vendeve të punës, por edhe duke vonuar rikuperimin e gjithëmbarshëm ekonomik të Kosovës”, shpjegon Zeka për FaktePlus.
Ndërkaq, eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu ka thënë se është shqetësuese lufta e pa kompromis mes partive politike e që sipas tij kjo e dëshmon edhe se në Kosovë luftohet për pushtet e jo për shtet.
“Ajo që është shqetësuese dhe demotivon popullatën në ardhmëri, është lufta e pakompromis ndërmjet partive politike dhe e tëra kjo e dëshmon më së miri që në Kosovë luftohet për pushtet se sa për shtet, shumë më tepër mbrohen interesat e grupeve të caktuara dhe të partive politike se sa të shteti dhe se vërtet ky është një mjerim që po e përcjellë Kosovën e dëshmojnë edhe seancat në Parlamentin e Kosovës dhe vendimet që janë në interes të shtetit për hir të përkatësisë politike qoftë votohen, qoftë nuk votohen dhe në fund të fundit Kosova dhe qytetarët e saj”, tha ai.
Gërxhaliu për FaktePlus tha se mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga Kuvendi dëmton Kosovën si në aspektin politik, ekonomik e social edhe në atë psikologjik.
“Ky mosbotim dhe sjellje në parlamentin e Republikës së Kosovës e dëmton Kosovën qoftë në aspektin politik, ekonomik, social apo integrues por mbi të gjitha në aspektin psikologjik”, theksoi ai.
Tutje ai tha se ky bllokim po ndodh pak ditë para se delegacioni kosovar të udhëtoj drejt Washingtonit ku pritet të filloj dialogu Kosovë-Serbi.
Shtyhet përsëri seanca për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare
Megjithëkëtë, Gërxhaliu tha se politikanët e vendit duhet të dëshmojnë pak etikë e moral që t’ia kthejnë qytetarëve shpresën që në Kosovë mund të jetohet
“Besoj që duhen edhe politikanët e Kosovës të dëshmojnë pak etikë, pak moral dhe mbi të gjitha ta kthejnë shpresën e humbur te qytetarët se në Kosovë mund të jetohet. Si mund të minimizohen pasojat negative të koronavirusit qoftë se nuk kemi partneritet ndërkombëtar, si mund të minimizohen këto pasoja pa mbështetjen e institucioneve kredibile ndërkombëtare dhe si mund të arrihet të kemi mbështetje nëse nuk kemi unitet politik”, theksoi Gërxhaliu.
Mosvotimi i këtyre marrëveshje ka nxitur edhe reagimin e kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.
Ai nëpërmjet një postimi ka thënë se kjo është një papërgjegjësi dhe joseriozitet, dhe se marrëveshjet ndërkombëtare nuk duhet të jenë instrument i luftës politike.
“Papërgjegjësi, joseriozitet. Marrëveshjet ndërkombëtare nuk duhet të jenë instrument i luftës politike. Parlamenti mund të bëhet përgjegjës për një kolaps ekonomik të mundshëm. Me gjasë shumica e politikanëve, në tërë karrierën e vet nuk e kanë dhënë asnjë pagë, prandaj nuk e kanë as idenë më bazike se në çfarë gjendje të vështirë mund të jetë një kompani, nga goditjet e pandemisë”, ka shkruar ai.
Në mungesë të kuorumit kanë dështuar të votohen në Kuvend të Kosovës marrëveshjet ndërkombëtare.
Para se të hidhej në votim, Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka bërë thirrje për deputetët që të japin votën pro marrëveshjeve.
“Në kohën kur kemi qenë në opozitë po edhe gjatë viteve 2008-2014, ka pas rast e kur i kemi shty, por gjithmonë i kemi votu, jemi në kohë pandemie, këto marrëveshje, kapin një vlerë monetare 62 milionë euro. Kjo ka me qenë edhe në shtytje për sektorin privat. Sinqerisht ju lus që kësaj radhe të na jepni mbështetjen, ne e kemi sjellë buxhetin në Kuvend. Edhe buxheti bazohet në marrëveshje ndërkombëtare. Janë qindra mijëra qytetarë që kanë aplikuar për pakon emergjente, ata po presin të marrin mjetet për të cilat ne jemi zotuar që do t’i japin. Ata e kanë të vështirë me kuptu, po kërkojnë që ne si përfaqësues të opozitës dhe pozitës të ju japim mbështetje në kohë të pandemisë”, tha Bajrami.
Megjithatë, pro marrëveshjes së parë që u hodh në votim, votuan vetëm 58 deputetë.
Në mungesë të kuorumit, kryeparlamentarja Vjosa Osmani propozoi që marrëveshjet tjera të mos hidhen në votim, e kjo seancë të shtyhet për një ditë tjetër.
“Po propozoj që meqë nuk kemi korum kjo seancë të shtyhet në një moment kur kryesia të vendos për mbajtjen e saj”, ka thënë Osmani, derisa, ka ftuar deputetët që në ora 15:30 të kthehen në seancë të rregullt ku do të raportojë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti lidhur me vizitën në SHBA.
Këto janë pesë marrëveshjet milionëshe që Kuvendi dështoi t’i votoi
Marrëveshjet që ishin në rend të ditës për t’u votuar:
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar.
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan.
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit ‘Dogana 2020’.
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020./FaktePlus/.