“Lufta” për Ligjin e Pagave – kush fitoi e kush humbi në Kosovë
2 shkurti i vitit 2019 ishte dita kur me shumicë votash pavarësisht kundërshtimeve të shumta në Kuvendin e Republikës së Kosovës u votua Ligji i ri për Paga, për herë të parë që nga paslufta.
E votimin e tij e ngutën edhe shfaqjet e pakënaqësive me greva kur patën hyrë punëtorët e arsimit, punëtorët shëndetësor, ata të administratës dhe të institucioneve të tjera publike.
Ky ligj pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin paga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë pritej të ishte 239 euro, shkruan FaktePlus.
“Vlera monetare e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij Ligji do të jetë dyqind e tridhjetë e nëntë (239) euro. Për vitet e tjera buxhetore, vlera monetare e koeficientit përcaktohet me Ligjin vjetor të Buxhetit”, thuhet në nenin 23 të Ligjit, i cili përcakton vlerën e koeficientit dhe fondet për shtesa.
Në bazë të Ligjit, presidenti i Kosovës pritet ta ketë pagën më të lartë dhe do të paguhet sipas koeficientit 10, deri sa kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të paguhen sipas koeficientit 9.
Sipas koeficientit, presidenti i Republikës do ta ketë pagën 2,390 euro nga 2,672 euro që është paguar deri më tani, ndërsa kryetari i Kuvendit do të ketë pagën 2,151 apo 404 euro më pak se paga aktuale.
Të njëjtën pagë prej 2,151 euro do ta ketë edhe kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese nga 2,950 euro përkatësisht 3,108 euro që janë paguar aktualisht.
Për sa i përket pagës së zëvendëskryeministrit, ai do të paguhet 2,031 euro nga 2,500 euro që është paguar deri më tani. Po ashtu, paga e një ministri sipas Ligjit për Pagat do të jetë 1,912 euro që do të jetë një zbritje page prej 88 euro.
Pagë të njëjtë do të merr edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, kryetari i Kryeqytetit, kryetari i Gjykatës Supreme, Kryeprokurori i Shtetit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kryetari i Akademisë së Shkencave, Avokati i Popullit dhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës.
Ligji thotë se shefi i Kuvendit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, kryeprokurori dhe kryetari i Gjykatës Supreme do të paguhen edhe pesë vite pasi të largohen nga pozitat e tyre. Ata do të marrin 70 për qind të pagës së fundit, në institucionin ku kanë vepruar dhe veç kësaj ata do të përfitojnë edhe një asistent, vozitës dhe veturë zyrtare të cilën do të përdorin.
Pagë pas përfundimit të mandatit nga buxheti i shtetit do të marrin edhe deputetët.
“Deputeti pas përfundimit të mandatit të rregullt apo para kohe, i cili nuk realizon asnjë të hyrë nga buxheti i shtetit ka të drejtën e kompensimit kalimtar prej një vit, në vlerë 70 për qind të pagës së fundit që e kanë marrë”, thuhet në Ligjin për Paga.
Ministrat dhe kryetarët e komunës do të marrin 70 për qind të pagës edhe pas përfundimit të mandatit.
Pasi që ky ligj u votua, kryetari i Kuvendit të Kosovës, të legjislaturës së gjashtë Kadri Veseli, pati deklaruar se kjo është një fitore e drejtësisë në paga, dhe Ligjin e ka quajtur hap historik të Kosovës.
Po ashtu, Veseli ka thënë se pagat do të rriten për shumicën e punëtorëve në sektorin publik. Ndërkaq partitë opozitare kanë vlerësuar se ky ligj me mos votimin e amendamenteve të propozuara është ‘masakruar’.
Por, pavarësisht kësaj, ligji kishte arritur në zyrën e Presidentit vetëm dhjetë ditë pas votimit në Kuvend, më saktësisht më 12 shkurt. Por gjatë hartimit u ndryshua disa herë, pasi u shtuan pakënaqësitë sociale, nga punonjës në sektorë të ndryshëm publikë, të cilët kërkonin rritjen e koeficientit, përkatësisht rritjen e pagave.
E, duke parë gjitha pakënaqësitë, presidenti Thaçi nuk e dekretoi apo ktheu në Kuvendin e Kosovës këtë ligj në afatin ligjor prej tetë ditësh.
Në këtë rast, sipas Kushtetutës se Republikës se Kosovës, ligji konsiderohet i shpallur pa nënshkrimin e presidentit.
Kurse, afati ligjor prej tetë ditësh për dekretim apo kthim në Kuvend të këtij ligji kaloi në mesnatën ndërmjet 20 dhe 21 shkurtit, shkruan FaktePlus.
Kështu që ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, përveç nëse, me vetë ligjin nuk përcaktohet ndryshe.
Të pakënaqur me veprimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, u shprehen Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës, të cilët kishin kërkuar nga presidenti mosnënshkrimin e këtij ligji, në mënyrë që të kthehet në Kuvend.
Kjo sindikatë para miratimit të ligjit, kishte mbajtur disa greva, duke e quajtur këtë ligj diskriminues për mbi 22 mijë punëtorët e këtij sektori, kurse kishte pezulluar grevat, deri në një kohë tjetër.
Përveç shërbyeseve civilë, Ligji për pagat pas miratimit është kundërshtuar edhe nga kontrollorët e trafikut ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, Sindikata e Korporatës Energjetike e Kosovës, Sindikata e punëtorëve në Shërbimin Korrektues, Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë në Kosovë (KOSTT), po ashtu edhe kirurgët e Qendrës së Klinikës Universitare të Prishtinës dhe nga mësimdhënësit e ciklit të ulët.
Gjatë gjithë kohës prej miratimit në Kuvend, ata që ishin të pakënaqur më këtë ligj dërguan ankesa te Institucioni i Avokatit të Popullit duke kërkuar që ky i fundit këtë ligj ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese që të kërkojë interpretimin e tij.
Madje, në këtë institucion ishin dërguar plot 35 ankesa.
E tek pas miratimit të ligjit për pak kohë pati një qetësi në Kosovë, e cila ishte prishur kohën kur edhe pritej që ky ligj të fillojë së zbatuari, pasi shumë sindikata e punonjës e kundërshtonin ligjin me arsyetimin se nuk është arritur barazi në pagesa.
Tashmë kur çdo gjë ishte bërë gati dhe pritej një dhjetori që ligji të fillojë së zbatuari dhe të gjithë punonjësit e sektorit publik mendonin që në fund të këtij muaji të merrnin pagat me rritje, ndryshoi gjithçka.
Kjo pasi që vetëm katër ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji pikërisht më pesë dhjetor Avokati i Popullit, duke marrë për bazë ankesat nga subjekte të ndryshme të sektorit publik dhe në pajtim me autorizimet e tij kushtetuese dhe ligjore e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese këtë ligj, duke kërkuar vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të Ligjit.
Me të dërguar në Kushtetuese këtë ligj, disa prej sindikatave duke përfshirë atë të arsimit, të shëndetësisë e të policisë kishin paralajmëruar greva për shkak që nuk pajtoheshin me vendimin e Avokatit të Popullit. Këto sindikata thonin se presin që pagat e dhjetorit t’i merrnin me rritje.
E, deri sa pritej vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Ministrinë e Financave thonin se pagat do të dalin me rritje në rast se Kushtetuesja nuk merr vendim deri në datën e ekzekutimit të këtyre të fundit.
Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave në dorëheqje, Bedri Hamza, kishte thënë se ligji i ri i pagave do të nisë së zbatuari në dhjetor.
“Të gjithë të punësuarit që janë në sektorin publik që marrin paga nga buxheti i shtetit, pagën e dhjetorit e marrin sipas ligjit të ri. Nuk do të ketë implikime buxhetore, pasi kjo ka qenë e paraparë me kohë në buxhet”, kishte thënë Rafuna.
Pas një jave, saktësisht më 12 dhjetor Kushtetuesja duke marrë për bazë kërkesën e Avokatit të Popullit mori vendim që të pezullojë Ligjin për Paga, duke vendosur masë të përkohshme në kohë zgjatje deri më 30 mars 2020, nga data e nxjerrjes se këtij vendimi.
Me të marrë këtë vendim, sindikata e arsimit dhe ajo e shëndetësisë, të nesërmen më 13 dhjetor morën vendim që të fillojnë me greva, duke mos u pajtuar me vendimin e Kushtetueses.
Grevë dyorëshe në arsim ishte mbajtur në çerdhe, në universitete dhe në të dy ndërrimet e mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës, me kërkesën drejtuar institucioneve që të punësuarit në arsim dhe gjithë të tjerët pagën e dhjetorit ta marrin bazuar në Ligjin e Pagave.
Kurse, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë ka mbajtur grevë të përgjithshme të tri niveleve të sistemit shëndetësor parësor, dytësor dhe tretësor, me moton “Presim pagat me Ligjin e ri”, duke filluar nga ora 07:00 deri në orën 15:00.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj menjëherë pas vendimit të Kushtetueses kishte thënë për FaktePlus se nuk ndihet përgjegjës për bllokimin e sistemit arsimor, por që është i detyruar t’i marrë këto vendime.
https://fakteplus.net/jasharaj-po-shkojme-ne-greva-te-pergjithshme-video/
Kurse, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla, kishte deklaruar për FaktePlus se pezullimi i ligjit të pagave është nxitje e trazirave sociale.
Por, rreth këtyre grevave dhe vendimit të Kushtetueses për FaktePlus, ka folur edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.
Jashari, ka thënë se nuk e ndien veten aspak përgjegjës nëse vendi shkon në krizë sociale, pasi që deklaron se ky është vendim i Kushtetutës.
“Mendoj që është një pyetje goxha hipotetike, nëse ndodhë kjo, mundeni me u ndi ju keq, mendoj aspak jo nuk po ndihem për faktin që ne kemi autorizime komplet të Kushtetueses, nëse kjo kushtetutë është në fuqi dhe ky ligj është në fuqi edhe ka pas shqetësime të drejtës së ankesës atëherë nuk po e kuptoj pse duhet të ndodhë një krizë sociale”, ka deklaruar Jashari, për FaktePlus.
Së fundmi për Ligjin e Pagave dhe për vendimin e Kushtetueses është deklaruar edhe ministri në detyrë i Administratës Publike, Mahir Yagcilar.
Ai tha se deri më tani nuk ka ekzistuar ndonjë ligj themelor sa i përket Ligjit të Pagave, por vetëm rregullore sa i përket vendimeve dhe shumë çështjeve tjera lidhur me pagesat.
Yagcilar ka thënë se nuk mund ta paragjykojë aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ekziston mundësia që të kërkohet amandamentimi nga Kuvendi i Kosovës në mënyrë që të bëhet një ligj i cili duhet të pranohet nga të gjithë.
E çka do të ndodhë me këtë ligj mbetet të shihet pas 30 marsit të vitit 2020, kur edhe i përfundon masa e pezullimit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese./FaktePlus