Lufta për gazin e detit Mesdhe, pse Franca dhe Italia janë kundër Turqisë
Konflikti deri tani në kuadër të retorikës kërcënuese mes Athinës dhe Ankarasë, ka përfshirë edhe një sërë vendesh të tjera mesdhetare. Egjipti dhe Izraeli, që zhvillojnë stërvitje të rregullta ushtarake me Greqinë, kanë shprehur solidaritetin e tyre me Athinën. Franca dhe Egjipti janë në një përplasje edhe më të hapur me Turqinë për shkak të interesit të tyre për të kontrolluar Libinë. Analistët e politikës së jashtme, vërejnë se një shpërthim i luftës, nuk do të jetë vetëm një konflikt greko-turk.
Po si u bë Mesdheu Lindor epiqendër e këtij konflikti?
Gjatë 5 viteve të fundit, burimet e mëdha në det të hapur të gazit natyror, e kanë shndërruar Mesdheun Lindor në një arenë kryesore strategjike, ku konvergojnë vijat ndarëse më të mëdha gjeopolitike, që përfshijnë Bashkimin Evropian dhe rajonin. Në vitin 2015, në zonën detare të Egjiptit, Zohr, kompania italiane ENI zbuloi sasi të mëdha gazi natyror. Kjo ishte sasia më e madhe e gazit në Mesdheun Lindor që është zbuluar deri tani dhe që befas e bëri këtë rajon me një rëndësi të madhe.
E njëjta kompani, që po kryen shpime edhe rreth ishullit të Qipros nisi të promovojë një plan për të transportuar gazin qipriot, egjiptian dhe atë izraelit, dhe të përdorë gazsjellësit në Egjipt për ta sjellë në Evrope, duke anashkaluar Turqinë. Në vitin 2018, gjiganti energjetik francez “Total”, i dha një goditje tjetër Turqisë duke hyrë në një partneritet me ENI-in në të gjitha operacionet e kërkimit të gazit në Qipro.
Ky veprim e vendosi Francën në mesin e rezervave më të mëdha energjetike të Mesdheut Lindor. Ndërkohë, Qipro ra zyrtarisht dakord të shfrytëzojë infrastrukturën e Egjiptit për eksportin e gazit. Nënshkrimi i marrëveshjes për kufirin detar mes Turqisë dhe Libisë, ndezi zemërimin e të gjithë grupit të vendeve që duan të kontrollojnë rezervat e gazit në Mesdheun Lindor. Fronti Egjipt-Izrael-Qipro-Greqi, fitoi gjithnjë e më shumë mbështetje ushtarake nga Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara, ku secila ka investime të rëndësishme ekonomike mbi gazin e Mesdheut Lindor.