Lot, dhimbje e krenari: Policit të rënë në detyrë i jepet lamtumira e fundit
E nisën për në punë, por familja Thaqi nga Shkarashniku i Malishevës morën lajmin e hidhur. Djali i tyre Samiu u vra gjatë një aksioni policor anti-drogë në Zhur të Prizrenit, ku shpërtheu një eksploziv.
Lajmi tronditi vendin.
Samiu mbeti i vdekur por edhe dy pjesëtarë të policisë dhe një fëmijë mbetën të plagosur, e njëri prej policëve është në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton FaktePlus.
Në mëngjesin e sotëm, numër i madh i qytetarëve e i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës morën rrugë për në fshatin Shkarashnik të Malishevës, për të qenë afër familjes Thaqi në këto ditë të rënda për ta.
Dhimbje e madhe.
Fëmijët e tij nuk i ndalin lotët, rrahjet e zemrave të tyre dukej se po dilnin nga vendi. Seç u shemb bota për ta. Fytyrat e tyre prekën të madh e të vogël.
Fjalët ishin të pakta, pak kush mundej t’i jepte forcë atyre. Ligështimi, e mërzia i kishte kapluar që të gjithë.
Fytyra të ngrysura, buzët e varura që dridheshin nga të qarat, shiheshin tek çdo njëri aty që kishte shkuar për t’ia dhënë lamtumirën e fundit Samiut.
Mesin e krejt dhimbjes, kokën lartë u mbante mburrja dhe krenaria.
E vështirë edhe për ata që nuk e njohën, e lëre më për familjarët.
I thyer shpirtërisht, por Fadil Thaqi që është i vëllai i Samiut mundohej që të bëhej i fortë e për t’iu dalë në pritje e për t’i falënderuar të gjithë ata që shkuan për të qenë pranë tyre në këto ditë tejet të vështira.
Tre orë para se të merrte frymën e fundit, Samiu kishte folur me nënën e tij. Kështu tregon vëllai Fadili për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
“Po përjetojmë një ngjarje të rëndë të familjes. Jemi të prekur thellë nga rasti, mirëpo falë popullit që po na vizitojnë po qëndrojmë të fortë. Ne me vëllanë tonë kemi kontaktuar 3 orë para se të ndodhë rasti, ka fol me nanën ku i ka thënë se po shkon në një aksion. Më nuk kemi kontaktuar, ka treguar ai.
Në ceremoninë e varrimit nuk kishte si të mungonte Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj. Pak para se t’ia jepnin lamtumirën e fundit ai para njerëzve që ishin mbledhur aty, tha se nuk është e lehtë t’i jepet lamtumira Samiut. Por ka theksuar se ky rast nuk do ta zmbrapsë Policinë e Kosovës por do t’i bëjë më të fortë në luftën kundër narkotikëve.
“Sot nuk është një ditë e zakonshme dhe e lehtë për ne t’i themi lamtumirë Sami Thaqit i cili ishte i gatshëm te i shërbej vendit. Është shumë vështirë për mua si epror të gjejë fjalë për zyrtarin policor i cili ra në krye të detyrës. Kolegu ynë mbrëmë gjeti vdekjen, ku dhe dy kolegët e tij mbetën të lënduar, gjithashtu edhe një fëmijë. Është shumë e rëndë për mua personalisht t’iu drejtohem familjarëve dhe të flas për Samiun, i cili për herë të parë në vitin 2005 kur veshi uniformën dhe pranoi te luftoj krimin dhe të jetë në mbrojtje të qytetarëve që ata të jenë më të sigurt. Ky rast neve nuk do të na zmbraps por do të na bëjë më të fortë në luftën kundër narkotikëve dhe krimit, ne dhe do të vazhdojmë fuqishëm të luftojmë krimin, dhe momente si këto të na forcojnë edhe më shumë që të zbardhim rastet si ai ku mbet i vdekur Samiu”, tha Qalaj.
I jepet lamtumira policit te vrare te zhur te Prizrenit
Julkaissut Fakte + Keskiviikkona 29. tammikuuta 2020
Derisa Samiut iu dha lamtumira e fundit, kolegu i tij Artur Marësori po lufton me jetë. Ai ka humbur njërin sy por që rrezikohet të humbi dhe syrin tjetër.
Shpërthimi i bombës la pasoja të mëdha.
E babai i tij, Ganimet Mrasori tha se po shikojnë mundësinë për ta transferuar birin e tyre jashtë shtetit për shërim.
“Gjendja ta këqyrim si mund të jetë, si mund të ketë një transferim diku jashtë me shkua për shkak të shpëtimit të operimit në sy”, tha ai.
Babai i policit të lënduar falënderoi institucionet të cilët po mundohen për shërimin e djalit të tij.
“Falënderojmë këto institucione që kanë bërë këtu kryeministrit, ministrit të Punëve të Brendshme, etj”, tha ai.
Kryeministri në detyrë gjatë ditës vizitojë Arturin, teksa premtoj ndihmë institucionale për shërimin e tij.
E në mbledhjen e sotme të qeverisë në largim u morë vendim për t’iu ndarë 15 mijë euro për familjen e policit të vrarë, Sami Thaqi dhe 10 mijë për dy policët e plagosur nga rasti i mbrëmshëm në Zhur.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prizren, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj I.B., i dyshuar për sulmin me eksplozivë ku humbi jetën një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe tre të tjerë mbetën të lënduar.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se i dyshuari I.B. është arrestuar nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ku është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Gjatë veprimeve të ndërmarra nga ana e Prokurorisë, është arrestuar i dyshuari me inicialet I.B, për shkak të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ndërsa, me urdhër të prokurorit, i dyshuari I.B, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, kurse gjatë ditës pritet që në Gjykatën Themelore në Prizren për të njëjtin të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. Prokuroria Themelore në Prizren, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit”, bëhet e ditur në komunikatë.