Londra shndërron autobusët në autoambulanca për pacientët me Covid-19
Stafi shëndetësor po përgatitet që të transportojë pacientë me dy autobusë të Londrës, që janë shndërruar në autoambulanca të improvizuara.
Shumica e ulëseve në këta autobusë janë larguar në mënyrë që në secilin autobus të mund të vendosen nga katër pacientë. Kjo është një përpjekje për ta lehtësuar trysninë e madhe me të cilën po përballen spitalet dhe shërbimi ambulantor në Londër.
Kompania që ka në pronësi këta autobusë ia ka huazuar ata sistemit publik shëndetësor në kryeqytetin anglez për të ofruar ndihmë gjatë transportimit të pacientëve, shkruan The Guardian.
Në këta autobusë do të punojnë mjekë dhe infermierë që janë pjesë e sistemit publik shëndetësor si dhe vullnetarë të një organizate bamirëse që e ofron ndihmën e parë.
Tashmë janë siguruar edhe katër vozitës për këta dy autobusë, në të cilët janë vendosur edhe pajisjet e rëndësishme mjekësore, përfshirë monitorët dhe pompat e infuzionit. I tërë stafi që do të angazhohet në dy autobusët është vaksinuar kundër koronavirusit.
Pacientët e parë pritet të vendosen në këta autobusë pas pak ditëve. Besohet se kjo është hera e parë që organet shëndetësore detyrohen që të përdorin autobusë të improvizuar për t’i transportuar pacientët.