Lojtarët kërcënojnë me bojkot, rrezikon të dështojë ndeshja hapëse e Kupës së Afrikës
Ndeshja hapëse e Kupës së Afrikës në futboll, ajo midis Egjiptit dhe Zimbave, që luhet sot në mbrëmje, ora 22:00, rrezikon të mos luhet. Lojtarët e kombëtares së Zimbabve kanë kërcënuar se nuk do të zbresin në fushë në takimin që luhet në Kairo.
Motivi është mospagesa e premios që Federata e Zimbabve ka premtuar për skuadrën. Lojtarët kanë kërkuar disa herë që të merren këto parà, por marrëveshja nuk është arritur. Në këtë mënyrë, futbollistët e kombëtares së Zimbabve refuzojnë të zbresin në fushë, pak orë para ndeshjes, duke krijuar një kaos.
Gjithsesi, kombëtarja e Zimbabve nuk është e vetmja që ka këtë problem. Edhe Kameruni rrezikon të bojkotojë këtë event, po për të njëjtën arsye. Lojtarët e Kamerun nuk kanë përfituar nga Federata mjaft bonuse për kualifikimin.
Kështu, pak orë para fillimit të Kupës së Afrikës një kaos po mbizotëron këtë turne. Ai rrezikon që të dështojë që në start, pasi pak orë para fillimit të turneut zhvillimi i ndeshjes hapëse të këtij eventi është ende në dyshim. /FaktePlus