Lojërat e fatit, 33 të arrestuar e në 5 raste dënim me burgim
Kuvendi i Republikës së Kosovës më 22 mars të këtij viti miratoi një rezolutë ku kërkohej pezullimi i aktiviteteve të kazinove e lojërave të fatit. Ndërsa 6 ditë më pas, me 69 vota për Kuvendi i Kosovës vendosi pro shfuqizimit të Ligjit të Lojërave të Fatit, përfshirë edhe ndaljen e aktiviteteve të Lotarisë së Kosovës. Këto vendime erdhen pas dy vrasjeve që ndodhën në kazino në Suharekë e Lipjan, brenda periudhës së një jave. Pas këtyre akteve edhe Policia e Kosovës përmes aksioneve të ndryshme mbylli biznese që ofronin këso shërbime, konfiskoi mjete e arrestoi persona të lidhur me këtë veprimtari të jashtëligjshme. E 7 muaj pas, arrestimet e konfiskimet e personave të lidhur me biznese të lojërave të fatit, po vazhdojnë.
Më 22 mars të këtij viti Policia e Kosovës ndërmori një operacion të gjerë ku pas kontrollimit të 235 lokacioneve, mbyllën 35 lokale e konfiskuan 118 aparate. E pas kësaj periudhe deri në mesin e gushtit, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar 33 persona e ngritur 24 kallëzime penale për 37 persona të përfshirë në këtë vepër penale.
“Pas operacionit të datës 22.03.2019 ku janë identifikuar dhe mbyllur të gjitha lokalet që merren me veprimtari të dyshuar penale që bien në domen të organizimit të skemave piramidale, ne kemi vazhduar që të ndërmarrim veprime shtesë konform autorizimeve ligjore. Nga koha e sipër cekur deri kah mesi i muajit gusht 2019, janë iniciuar 29 raste, të dyshuara për veprën penale: “Organizim te skemave Piramidale”, janë arrestuar 33 persona dhe është ngritur 24 kallëzim penal për 37 persona te inkriminuar në këtë figurë të veprës penale”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për FaktePlus.
Sipas tyre ky numër mund të jetë më i madh pasi që përveç Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, operacione të ngjashme kanë ofruar edhe rajonet dhe stacionet policore.
“Vlen te ceket se, përveç nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) gjatë kësaj periudhe kohore (22.03.2019 deri 13.08.2019) edhe rajonet dhe stacionet policore përkatëse kane zhvilluar operacione te ngjashme, prandaj shifrat mund te variojnë (rriten)”, theksohet tutje.
Ndërsa, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë bërë të ditur se nga 45 lëndë të zgjidhura për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, në 40 prej tyre ka pasur dënime.
Nga statistikat e siguruara prej “FaktePlus”, shihet se nga lëndët e zgjidhura me Aktgjykim Gjykues, në 5 lëndë ka pasur dënim me burgim, në 22 dënim me gjobë ndërsa në 13 raste dënim me kusht. Në një rast është marrë aktgjykim refuzues, në 2 raste është parashkruar në mënyrë absolute kurse në dy raste është zgjidhur në mënyrë tjetër.
I madh vazhdon të mbetet edhe numri i lëndëve të pazgjidhura. 117 janë të pazgjidhura në fillim të periudhës raportuese, kurse 94 në fund të periudhës raportuese.
Ndërkohë, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve figurojnë 336 biznese aktive e 50 të shuara të cilat ushtrojnë veprimtarinë e “Aktivitetit të lojërave të fatit dhe basteve”./FaktePlus