Loja me ambasadorët, Thaçi “refuzon” t’i kthejë ambasadorët e tërhequr nga Konjufca
Tërheqja e ambasadorëve nga kryediplomati Glauk Konjufca e ka nervozuar presidentin Hashim Thaçi.
Nga ai moment Konjufca dhe Thaçi nuk kanë pasur asnjë komunikim.Të gjitha propozime-tërheqjet i pari i diplomacisë ia ka dërguar të parit të vendit për dekretim në bazë të ligjeve.Mirëpo, ka dy muaj që Thaçi s’i ka kthyer asnjë përgjigje Konjufcës.Në ministrinë e Punëve të Jashtme akuzojnë Presidentin për neglizhencë të këtij procesi.
“Ne i kemi dërguar propozimet për tërheqjen e ambasadorëve politik, të cilët janë duke vepruar në një mandat të dytë e që është i jashtëligjshëm, tek Presidenti i Republikës, por deri më tani kemi hasur në një neglizhencë të madhe tek ky institucion”, ka thënë për Insajderin, Kreshnik Ahmeti, shefi i kabinetit të ministrit në detyrë Glauk Konjufca.
“Presidenca nuk ka qenë në gjendje t’i përgjigjet asnjë prej dokumenteve të adresuara nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”.Pavarësisht kësaj, ministria e Konjufcës do të realizojë kthimin e këtyre ambasadorëve deri me 30 qershor.“Asnjë nga Ambasadat apo Konsullatat e Republikës së Kosovës nuk ka mbetur pa konsuj. Vendimet e Ministrit Konjufca për realizimin e rotacionit, si proces për respektimin dhe vendosjen e ligjshmërisë në Shërbimin e Jashtëm, do të realizohen më 30 qershor.
Pra, të gjithë diplomatët që kanë vendime për t’u kthyer do të punojnë në misionet ku janë deri në atë datë”.Madje, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, janë duke u zhvilluar procedurat e konkursit të brendshëm ku do të përzgjidhen diplomatët e rinj që do t’i zëvendësojnë këta që janë propozuar të tërhiqen.“Në anën tjetër, proceset e konkurseve të brendshme, të cilat bëhen për herë të parë në historinë e MPJD-së, për t’i përzgjedhur diplomatët e radhës të cilët do të shkojnë në këto misione, do të përfundohen shumë para datës 30 qershor. Pra, ende pa u kthyer diplomatët të cilët i kanë vendimet për kthim, ne do t’i kemi diplomatët të cilët do të shkojnë në këto misione”, tha shefi i kabinetit të kryediplomatit kosovar.
Po ashtu, Ahmeti thotë se janë duke punuar në riorganizimin e misioneve të Shërbimit të Jashtëm në mënyrë që të ketë një përfaqësim më të mirë dhe më efikas se sot.“Nuk duhet të harrojmë që nga e kaluara na kanë mbetur misione të cilat janë të stërngarkuara me diplomat dhe rastet e tilla duhet të shqyrtohen në mënyrë që të kursehet buxheti shtetëror, për të mundësuar hapjen e misioneve të reja në vendet ku është i nevojshëm ndikimi i Republikës sonë”.
I pari i diplomacisë kosovare pati propozuar tërheqjen e shtatë ambasadorëve dhe 14 konsujve nga përfaqësimi i Kosovës në misionet diplomatike në botë.Në mesin e ambasadorëve ishin Vlora Çitaku, Edon Cana, Lirim Grejçevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ylber Hysa dhe Ramadan Avdiu.Diplomatët ende nuk janë larguar nga misionet përkatëse, ata do të veprojnë në pozitat e tyre derisa të kthehen në Ministrinë e Punëve të Jashtme.