Lladrovci kërkon rishikim të vendimeve nga niveli qendror për masat parandaluese ndaj koronavirusit
Kryetari Lladrovci kërkon rishikim të vendimeve nga niveli qendror për masat parandaluese ndaj virusit COVID-19.
Duke u nisur nga situata e krijuar me vendimet dhe urdhëresat e fundit të ministrive përkatëse, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i drejton këtë shkresë të gjitha institucioneve relevante në Republikën e Kosovës. Kërkesën e cila ka gjetur përkrahje edhe nga kryetarët tjerë të komunave e gjeni të plotë më poshtë:
“Komuna e Drenasit që nga paraqitja e rastit të parë pozitiv me virusin COVID-19 në Kosovë, konform vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht, Ministrisë së Shëndetësisë, po zbaton në përpikëri të gjitha masat dhe po monitoron me vigjilencë situatën aktuale.
Komuna e Drenasit është duke zbatuar të gjitha vendimet dhe urdhëresat e nxjerra nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht, ministritë përkatëse. Vendimet në nivel komunal janë në pajtueshmëri me Vendimet Nr. 01.07, Nr.01.09 dhe Nr.01.11 të Qeverisë, si dhe janë në përputhje me urdhëresën nr.01.03 të datës 17.03.2020 të nxjerrë nga Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS).
Sipas urdhëresës së MEPTINIS, numër 01/03, të datës 17.03.2020, pika 4, përkatësisht nënpika 4.1 dhe 4.2, lejon shitjen e operatorëve me oferta të përziera shitje-shërbim si: Furrat e bukës, burektorët, qebaptorët, ëmbëltorët, gjellëtoret dhe ushqimorët e tjera, që shesin pije e ushqim, por edhe shërbejnë brenda lokalit. Si dhe autolarjet dhe pikat e karburantit, që shesin mallra dhe shërbime për automjete, por edhe kanë kafiteri apo restaurante brenda lokalit.
Duke u bazuar në këtë urdhëresë, po shprehim shqetësimin tonë si komunë për prani të numrit të madh të qytetarëve, të cilët po grumbullohen pranë këtyre pikave, të cilave u është lejuar shitja dhe rrjedhimisht, janë potencialisht të rrezikuar për përhapjen virusit COVID-19.
Andaj, si institucion, shprehim shqetësimin tonë që lejimi i këtyre operatorëve, përjashtimisht furrave të bukës e burektorët, barnatoreve farmaceutike, bujqësore dhe shitoreve ushqimore, mund të shkaktoj përhapje eventuale të virusit, edhe pse inspektorati komunal gjatë gjithë kohës është në terren, dhe monitoron zbatimin e masave preventive ndaj virusit COVID-19.
Shqetësimi jonë rrjedh edhe nga thirrjet e vazhdueshme të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP) dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), që qytetarët të evitojnë daljet jashtë shtëpisë, përveç rasteve urgjente.”./FaktePlus