Liverpool rimerr primatin në Premier Ligë, mposht Chelsean
Liverpool ka rrëmbyer pikët e plota në “Anfield”, duke e mposhtur 2-0 Chelsean. “Redsat” tani kanë 85 pikë, City me një ndeshje më pak 83.
Liverpooli ka vazhduar me formën e mirë në Premierligë. Të besuarit e Jurgen Klopp vazhduar ëndrrën drejt titullit duke e mposhtur 2-0 skuadrën e Maurizio Sarrit, Chelsean, raporton Gazeta Express.
Skuadrat e nisën furishëm takimin, por 45 minutat e pjesës së parë u mbyllën ashtu siç filloi takimi, 0-0.
Me të nisur pjesa e dytë, Liverpooli befasoi mysafirët duke shënuar dy gola të shpejtë.
Sadio Mane zhbllokoi rezultatin dhe shënoi për 1-0 në minutën e 51’, kurse dy minuta më vonë, në atë të 53’, Mohamed Salah shënoi një gol të çmendur, ndoshta më të mirin deri më tani në Premierligë, për rezultatin 2-0.
Pak minuta pasi Mane dhe Salah shënuan dy gola të shpejtë për epërsinë e dyfishtë të Liverpoolit, mysafirët kishin raste të mira shënimi.
Që të dy rastet i kishte sulmuesi, Eden Hazard.
Në tentimin e parë, belgut iu mohua goli nga shtylla, kurse në atë të dytin, Alisson tregoi pse është portieri i dytë më i shtrenjtë në histori, duke pritur goditjen e 28-vjeçarit.
Deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit, dy skuadrat kishin rastet e veta, por nuk arritën më t’i tundin portat e njëra-tjetrës.
Kështu, Liverpooli ka rrëmbyer sërish kreun në Premierligë, duke shkuar në kuotën e 85 pikëve, dy më shumë se Manchester City – por skuadra e Pep Guardiolës ka një ndeshje më pak të zhvilluar.