Listat e partive mund të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese
Tashmë kur zgjedhjet e 6 tetorit po ofrohen dhe listat për kandidatë për deputetë janë dorëzuar në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), subjektet politike janë siguruar që të përmbushin kuotën prej 30% të përfaqësimit të grave në këto lista, duke respektuar kështu Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Por, jo edhe Ligjin për Barazi Gjinore, i cili obligon organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore si dhe institucionet e tjera publike që të sigurojnë përfaqësim të barabartë gjinor prej 50 për qind për secilën gjini përfshirë edhe në vendimmarrje, shkruan FaktePlus.
Lidhur me këtë çështje në vazhdimësi ka pasur dhe vazhdon të ketë reagime jo vetëm nga shoqëria civile, por edhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ka kërkuar që të mos ketë diskriminim në mes dy gjinive.
Një gjë e tillë specifikohet edhe në Nenin 7, në paragrafin e parë dhe të dytë të Kushtetutës së Kosovës.
“Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit, mosdiskriminimit, të drejtës së pronës, mbrojtjes e mjedisit, drejtësisë sociale, pluralizmit, ndarjes së pushtetit shtetëror dhe ekonomisë së tregut. Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore”, thuhet në dy paragrafët e këtij neni.
Ndërsa, duke parë që subjektet politike nuk kanë respektuar Ligjin për Barazi Gjinore, në Institucionin e Avokatit të Popullit thonë se subjektet politike qartazi nuk e kanë respektuar këtë ligj.
Zëvendësja e Avokatit të Popullit, Majlinda Sinani-Lulaj, ka thënë për FaktePlus, se subjektet politike kanë shkelur mbi vlerën kushtetuese të mosdiskriminimit, duke mos iu dhënë mundësi të barabartë gjinive.
“A e kanë respektuar subjektet politike dhënien e mundësive të barabarta për gratë e burrat në listat e dorëzuara në KQZ? Qartazi jo! Siç veprohet tradicionalisht tashmë, gratë gjithmonë janë gjinia e nën përfaqësuar tek të gjitha subjektet. Ky është indikacion domethënës se vullneti politik i subjekteve që garojnë, shkel mbi vlerën kushtetuese të mosdiskriminimit, saktësisht mbi mundësitë e barabarta gjinore. Nëse KQZ certifikon listat si të tilla, përkundër faktit se ka një ligj specifik për barazi gjinore të miratuar në vitin 2015, i cili me dispozitë të veçantë (Neni 5, paragrafi 2) shfuqizon çdo dispozitë, e cila është në kundërshtim me parimin e trajtimit të barabartë sipas këtij ligji, atëherë e institucionalizon dhe legjitimon hapur diskriminimin gjinor në Republikën e Kosovës”, ka thënë Sinani-Lulaj.
E, pyetur se a do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese së paku për zgjedhjet e ardhshme që të kërkojnë respektim të Ligjit për Barazi Gjinore, i cili siguron përfaqësim të barabartë prej 50% për secilën gjini, Sinani-Lulaj, nuk e ka përjashtuar mundësinë që do të ndodhë një gjë e tillë.
“Institucioni i Avokatit të Popullit e ka bërë të qartë qëndrimin që ka përkitazi me zbatimin praktik të garancive lidhur me barazinë gjinore. Do ta konsideronim vërtetë avancim të mendësisë e debatit publik nëse çështja e barazisë gjinore do të konsiderohej me seriozitetin me të cilin jemi duke e trajtuar brenda Institucionit të Avokatit të Popullit. Aktualisht jemi duke i diskutuar intensivisht mundësitë ligjore dhe mjetet juridike në dispozicion lidhur me këtë gjë”, ka thënë ajo për FaktePlus.
Ajo, madje ka shpjeguar edhe arsyet se përse Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore ka përparësi ndaj dispozitave të Ligjit nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme, që flasin për përfaqësimin gjinor.
“1.Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore është ligj special sa i përket garantimit, mbrojtjes dhe promovimit të barazisë midis gjinive, si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë; 2.Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore është ligj i miratuar më vonë në krahasim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe detyrimisht kërkon zbatim sipas dispozitave që përmban (për më tepër shihni në https://oik-rks.org/2018/09/28/raport-me-rekomandime-ne-lidhje-me-tri-parime-te-pergjithshme-per-interpretimin-e-akteve-normative/ )”, ka shpjeguar Sinani-Lulaj për FaktePlus.
Në zgjedhjet që pritet të mbahen me gjashtë tetor në Kosovë, për herë të parë është e kandiduar një grua për kryeministre, por sipas njohësve të fushës kjo nuk është shenjë e përmirësimit të pjesëmarrjes së barabartë të grave në politike e sidomos në vendimmarrje.
Sipas statistikave të publikuara më herët pabarazia ekonomike gjinore në Kosovë vlerësohet të jetë më e larta në Evropë. Edhe pse gratë përbëjnë 52.1 për qind të numrit të përgjithshëm të kosovarëve me diplomë universitare, krahas 47.9 për qind të burrave, në punësim ato përbëjnë vetëm 12.7 për qind kundrejt 46.6 për qind të burrave. Edhe në rastet kur ato janë të punësuara, mbesin shumë pak të përfshira në nivele vendimmarrëse./FaktePlus