Listat e partive me emrat e kandidatëve për deputetë, flet KQZ-ja
Dita e premte është afati i fundit kur koalicionet e partitë politike duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listat me emrat e kandidatëve që do të garojnë për Kuvendin e Kosovës.
Por deri më tani, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ende asnjë nga subjektet nuk ka dorëzuar ndonjë listë me emrat e atyre që do të garojnë për deputetë në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen me 6 tetor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për FaktePlus se kërkesat për certifikim duhet të dorëzohen gjatë orarit të punës nga ora 08:00 deri 18:00, kurse në ditën e fundit të afatit aplikimet mund të dorëzohen deri në orën 24:00.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjitha subjektet politike (partitë politike, kandidatët e pavarur, koalicionet dhe iniciativat qytetare) të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës më 6 tetor, se afati i aplikimit për certifikim për subjekte politike dhe kandidatët e tyre përfundon më 6 shtator”, ka thënë Elezi.
Kujtojmë se subjektet politike mund të fusin në listat e tyre zgjedhore vetëm deëri në 110 kandidatë, për që mund të fitohen vetëm 100 deputetë edhe pse Kuvendi i Republikës së Kosovës ka në përbërje 120 deputetë.
Pra, kryesisht subjektet shqiptare garën e bëjnë për 100 vende në Kuvend, pasi 20 vende janë të rezervuara për minoritetet, ku prej tyre gjysmën e marrin komuniteti pakicë i serbëve.
Katër koalicione e disa parti për zgjedhjet e 6 tetorit
Sipas vendimeve të mëhershme të KQZ-së afati për deklarimin e koalicioneve ka mbaruar në mësnatën e së premtes dhe deri atë kohë janë paraqitur disa koalicione dhe subjekte politike për të garuar në zgjedhjet e 6 tetorit.
Në fakt, në KQZ janë paraqitur katër koalicione që do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Më i madhi është koalicioni ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partisë Socialdemokrate, kurse koalicion kanë lidhur edhe Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, të cilat do të garojnë së bashku në zgjedhje.
Mandej është koalicioni Vatak, i përbërë nga tri parti (Partia Demokratike Boshnjake, Partia Demokratike Vatan dhe Partia e Bashkuar Boshnjake), si dhe koalicioni tjetër i quajtur Sloboda (Liria), që përbëhet nga Partia Përparimtare e Kosovës dhe Partia e Re e Kosovës.
Kështu nga partitë shqiptare në vetme në zgjedhje do të shkojnë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), mandej Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), si dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Zgjedhjet e 6 tetorit vijnë pasi ndodhi shpërndarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës më 22 gusht, për shkak se Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit për shkak se ishte ftuar nga Gjykata Speciale në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte. Haradinaj dorëheqjen e tij e ka arsyetuar, duke thënë se nuk mund të shkoj në Hagë me postin e kryeministrit.
Kështu pas rrethanave të reja, presidenti Hashim Thaçi shpalli datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen me 6 tetor.
E në njërën nga mbledhjen anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kërkuan nga Qeveria në dorëheqje 5 milionë e 698 mijë euro për organizimin e zgjedhjeve.
Deri tani në garë janë disa koalicione e subjekte politike, si dhe pesë kandidatë që pritet t’i hyjnë garës zgjedhore.
LDK e ka caktuar si kandidate të saj për kryeministre, Vjosa Osmanin. PDK-ja liderin e saj Kadri Veselin. Lëvizja Vetëvendosje kryetarin Albin Kurti. Kurse koalicioni AAK-PSD kandidat për kryeministër e ka Ramush Haradinajn, ndërsa koalicioni tjetër Nisma-AKR për kryeministër kanë Fatmir Limajn./FaktePlus