Lista Serbe i reagon ashpër kryeministrit Hoti që mori pjesë në përurimin e rrugës Deçan – Plavë
Listës Serbe, partnerit të koalicionit në Qeverinë Hoti, nuk i ka pëlqyer aspak që kryeministri Avdullah Hoti sot ka marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të një segmenti të rrugës Deçan – Plavë.
Lista Serbe, përmes një komunikate, ka thënë se është e zhgënjyer me ceremoninë e sotme të hapjes së rrugës në Deçan, e ku kanë marrë pjesë anëtarët e Qeverisë së Kosovës.
Sipas Listës Serbe, rruga është ndërtuar në zonën e Manastirit të i Deçanit, e cila mbrohet me ligj dhe në të cilin është e ndaluar të kryhet vepra e tillë.
“Lista Serbe e dënon këtë veprim të zyrtarëve të Qeverisë, me të cilin vazhdojnë ndërtimet e paligjshme dhe u bën thirrje përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare që të reagojnë urgjentisht dhe me fuqinë e autoritetit të tyre të parandalojnë këto aktivitete ilegale”, thuhet në reagim.
Lista Serbe thotë se ndërtimi i kësaj rrugë është i paligjshëm dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi, edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi t’ia kthejë 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit.
Sot në Ditën e Çlirimit të Deçanit, Kryeministri Hoti, bashkë kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me ministrin Infrastrukturës Arban Abrashi dhe me kryetarin e Deçanit Bashkim Ramosaj, kanë përuruar një pjese të rrugës Deçan – Plavë, projekt ky i nisur nga qeveritë e kaluara!
“Kjo rrugë është e një rëndësie strategjike për të gjithë shqiptarët, prandaj bashkë me ministrin Abrashi u zotuam që këtë projekt ta jetësojmë duke e asfaltuar rrugën deri në kufi me Malin e Zi!”, ka thënë Hoti.