Lista e plotë e bizneseve që lejohen të punojnë gjatë fazës së dytë lehtësuese
Në Kosovë tashmë ka hyrë në fuqi faza e dytë e lehtësimit të masave të izolimit, të cilat ishin vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Në këtë fazë parashihet të rihapen një sërë biznesesh.
Pra, do të rifillojnë punën floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti ‘merre me vete’, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë.
Kurse qytetarët do të kenë mundësi që të dalin dy herë në ditë, nga dy orë, varësisht nga numri i fundit në letërnjoftim.
Ministria e Shëndetësisë ka publikuar sot listën e plotë të bizneseve, të cilave nga sot iu lejohet veprimtaria për ushtrimin e aktiviteteve në fazën e dytë që nga vendosja e masave të reja pas përhapjes së pandemisë së COVID-19 në Kosovë.
Lista bazohet nga udhëzuesi i përkohshëm për lehtësimin e masave nga pandemia nga data 18 maj deri më 2 qershor.
Kjo listë është ndarë në dy pjesë, me ngjyrë të kuqe që dallon bizneset që iu ndalohet veprimtaria, me ngjyrë të gjelbër që ju lejohet veprimtaria.