Lirohet Sali Berisha
Kreu i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është liruar nga arresti shtëpiak.
Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krim të Organizuar ka vendosur për lirimin e Berishës nga masa e arrestit shtëpiak.
“Gjykata konstatoi se për zotin Berisha nuk ekzistojnë më kushtet dhe kriteret për asnjë lloj mase. Ne kemi një vit e ca luftë me Irena Gjokën. Qëndrimi i Strasburgut është determinant dhe ka një rol parësor në këtë punë. SPAK le të bëjë çfarë të dojë. Por duhet të ulë kokën sepse i ka hipur një kali për sprapthi”, deklaroi avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj, raporton “Top Channel”.
Sali Berisha ishte në “arrest shtëpie” që prej 30 dhjetorit 2023. Kjo masë u mor pasi nuk zbatoi masën “detyrim paraqitje”, duke refuzuar të shkojë të merret në pyetje në SPAK.
Berisha po akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në bashkëpunim për privatizimin e ish-kompleksit Partizani në territorin e të cilit dhëndri i tij Jamarbër Malltezi ndërtoi kulla.