Liria është marrë peng nga të gjithë ne
Vend fatkeq e ka cilësuar Kosovën shkrimtari Gëzim Aliu. Me këtë konstatim ka përshëndetur të pranishmit pasi ka pranuar shpërblimin vjetor për letërsi, “Rexhai Surroi” për këtë vit. Në romanin e tij “Gosti në natën e parë të vjeshtës”, ai deshifron në detaje për fatkeqësinë e vendit e të shoqërisë që i takon. E në një intervistë për gazetën pasi ka pranuar shpërblimin, ka thënë se është e rëndë të jesh pjesë e një populli tragjik, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas Aliut, liria është marrë peng nga të gjithë. Ka thënë se në kohë okupimi liria kryesisht është koncepti i shporrjes së okupatorit. Por në një tjetër zbërthim të tij, del që shoqëria kosovare nuk është e lirë. Nëpërmjet romanit të tij, Aliu flet gjatë për këtë.
Vitet e paraluftës, gjatë e pas saj zënë vend në rrëfimin që shtjellohet në një gosti mbrëmjeje vjeshte. Ideja e personazhit kryesor, Cen Berisha, për një festival letërsie e arti, jo që merret peng nga bashkëshortja e tij, por edhe tjetërsohet. Vjen në atë gjendje, saqë më të rëndësishme bëhen koktejet e mbrëmjet festive sesa vetë përmbajtja e festivalit. Qysh në fillim, Aliu nis të trajtojë pseudokulturën. Mysafirët e gostisë nuk janë artistë, ashtu siç shiten. Dalin të jenë fantazma që kanë okupuar botën artistike të vendit të tyre. Janë asi shkrimtarësh që, pavarësisht marketingut që u bëjnë veprave, përmbajtja e tyre tregon se si nuk duhet të jetë proza.
Gostia mbledh edhe tenorë që e konsiderojnë veten me nam pasi janë edhe këngëtarë dasmash. Hipokrizia shkon deri në atë masë saqë diskutohet edhe për shkrimtarë që bashkëbiseduesit nuk e kanë idenë se për kë po flasin. Personazhet e tij, pos atij kryesorit, dalin të jenë fantazma të kulturës. Janë portret i mirë i lidhjeve politike e ekonomike që promovojnë ato që ua merr mendja, pa kurrfarë analize. Togfjalëshi “egoizëm oqeanik” është veç një prej përshkrimeve që u bëhet disa prej “yjeve” kulturore. Para këtij realiteti personazhi kryesor planifikon ta djegë dorëshkrimin e tij.