“Linja e Jetës” të dielën fillon punën në Kosovë (VIDEO)
Numri i vetëvrasjeve gjatë viteve të fundit është bërë shqetësues në Kosovë. E për të parandaluar këtë dukuri është krijuar “Linja e Jetës”, e cila do të fillojë punën më 17 nëntor në Prishtinë.
Përmes kësaj linje telefonike do të tentohet t’u ofrohet ndihmë gjithë personave që kanë probleme dhe mendojnë të kryejnë vetëvrasje.
Është numri 0800 12345 i cili të lidhë me “Linjën e Jetës” e që do të funksionalizohet këtë të diel.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka intervistuar ideatorin e kësaj linje, Bind Skeja nga Qendra e Informimit për Përmirësim Social (QIPS). Ai tregon se si erdhi ideja për “Linjën e Jetës”.
“Linja më ka ardhur si ide kur kam qenë në Angli duke i kryer studimet se atje ka kësi gjëra. Linja është për parandalimin e vetëvrasjeve, thirret “Linja e Jetës” dhe ka me u funksionalizu të dielën, ndërsa nesër kemi me festu hapjen e saj. Ka me punu çdo ditë prej orës 9 në mbrëmje deri në 1 të mëngjesit. Thirrjet mund të realizohen në numrin 080012345”, tha Skeja për FaktePlus.
Thirrjeve telefonike të personave që kërkojnë ndihmë tek “Linja e Jetës” do t’iu përgjigjen punëtorët vullnetarë që u trajtuan nga ekspertët në Holandë.
Skeja tregoi se cili është qëllimi dhe si do të funksionojë kjo linjë telefonike.
“Nuk janë ata psikolog, terapeutistë, qëllimi nuk është me ofru ndihmë afatgjate. Qëllimi është që në atë momentin kritik të krizës kur personi tenton të bëjë vetëvrasje, me largu. Pra, është diçka afatshkurtër dhe ndoshta jo domosdo me u ndi mirë përgjithmonë, por për atë moment që donë me bo vetëvrasje me ia largu atë dëshirë dhe me ia heq motivin dhe ngadalë me drejtu në vendet që munden me i dhënë ndihmë afatgjatë. Nëse jo domosdoshmërish një psikolog të paktën në grupe që munden me i dhënë përkrahje”, shpjegon Skeja.
Duhet thënë se Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS) kishte kërkuar përkrahje nga Qeveria, por këtë përkrahje nuk e mori asnjëherë.
E të dhënët e Policisë së Kosovës tregojnë se vetëm brenda këtij viti në Kosovë 33 persona kanë bërë vetëvrasje, ndërkaq 136 të tjerë kanë tentuar të vetëvriten. Ndërsa në pesë vitet e fundit janë gjithsej 199 persona që i kanë dhënë fund jetës së tyre, kurse 964 te tjerë tentuan të vetëvriten./FaktePlus