Lindjet që kushtojnë me humbjen e vendit të punës
Sh.B bëri pesë vite punë në një kompani private, por mbeti e pa punë pasi që e lindi fëmijën e saj të parë. Kështu kësaj gruaje të re, gëzimi i madh i të bërit nënë i është prishur qysh në ditët e para pasi solli në jetë vajzën e saj. Nënës 30 vjeçare nga Fushë Kosova edhe pse me ligj i takonte pagesa e pushimit për 6 muaj me 70 për qind të pagës bazë, punëdhënësi nuk ai dha asnjë cent, madje ia mohoi edhe të drejtën për kthim në vendin e punës.
Ky është vetëm një rast nga rastet e shumta e të shpeshta të shkeljeve të thella që po u bëhen punëtorëve në sektorin privat në Kosovë.
Në një rrëfim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Sh.B ka thënë se përkundër detyrimit ligjor, shefi i saj nuk kishte pranuar që t’ia paguajë pushimin dhe t’ia ruaj vendin punës.
“Unë kam punuar pesë vite me radhë në një kompani private në Fushë Kosovë, pasi kam lindur më nuk kam mundur të kthehem në vendin tim të punës. Madje as nuk i kam gëzuar të drejtat që më garantohen me ligj për kompensim apo pagesë të pushimit të lehonisë”, tha ajo.
Probleme të tilla si të Sh.B nga Fushë Kosova, ka shumë në nivel vendi. Këto probleme Qeveritë e vendit ende nuk kanë arritur t’i eliminojnë, madje qeveria në detyrë nuk ka arritur ta miratoj as ligjin e ri për punëtorët, e që lehonat do të trajtoheshin më mirë.
E për shkelje të tilla të ligjit ka pranuar ankesa të shumta nga punëtorët e sektorit privat edhe Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK).
Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus, se nëpër bizneset private 90 për qind të femrave që lindin nuk iu ruhet vendi i punës dhe nuk iu paguhet pushimi i lehonisë.
“Mbi 90 për qind të femrave që lindin nuk u ruhet vendi i punës aq më keq që pronarët kur vërejnë se punonjëset e tyre janë shtatzëna, ata i largojnë nga puna. Me ligjin aktual mbi lehonitë tre muajt e parë paguhen nga qeveria dhe 6 muaj nga pronarët dhe mund të themi se në një formë 95 për qind nuk i kanë respektuar këto pagesa. Ndërsa me ligjin e ri të propozuar tre muaj do të paguaj pronari ndërsa gjashtë muaj qeveria. Ne shpresojmë që ky ligj do të zbatohet në të ardhmen”, tha ai.
Tutje kryesindikalisti Azemi thekson se mbikëqyrja nga shteti në sektorin privat duhet të jetë më e madhe.
“Shteti duhet të shtoj inspektimet më shumë sidomos në sektorin privat, sepse shkeljet bëhen më së shumti aty”, tha ai.
Pak gra aplikojnë për pagesat e pushimit
Duhet theksuar se në Kosovë, ligji i cili mbron të drejtat e punëtorëve është në fuqi që nga viti 2011, por ky ligj nuk ka gjetur zbatim sa duhet, në veçanti për punëtorët që janë të angazhuar në sektorin privat.
Kjo ka bërë që të ketë edhe numër të vogël të grave që aplikojnë për të përfituar pagesat e pushimit të lehonisë. Nga Zyra e Punësimit në Prishtinë, thonë se janë diku rreth 1 mijë kërkësa që janë bërë këtë vit për të përfituar pagesat.
“Brenda vitit numri i kërkesave për pagese sillet rreth 1000 kërkesa të lehonave. Më saktësisht nga data 1 janar 2019 deri më 23 tetor 2019 janë 980 lehona që kanë aplikuar për pagesa të pushimit të lindjes. Pothuajse të gjitha që kanë aplikuar u është njohur e drejta në pushim në përjashtim të një numri shumë të vogël (3-5 kërkesa) të cilat janë refuzuar për mos kompletim të lëndëve”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Punësim.
Bazuar në ligjin aktual mbi lehonat, Qeveria e Kosovës bënë kompensimin e lehonave që janë të punësuara edhe në sektorin privat, për 3 muaj me një shumë prej 223 euro.
Nga llogaritja e përgjithshme del se Qeveria e Kosovës brenda një viti, vetëm në rajonin e Prishtinës ka dhënë mbi 650 mijë euro për gratë lehona.
Tutje në përgjigjet e Zyrës së Punësimit thuhet se kjo zyrë mbanë evidenca edhe për gratë të cilat janë të papuna. Ndonëse nuk kanë dhënë shifra nga ky institucionet për gratë lehona të papuna, nga kjo zyrë bëjnë me dije se edhe për këtë kategori kanë bërë kompensim./FaktePlus