Lindjet me rënie pingule, nga QKUK tregojnë sa kishte më pak në vitin 2019
Lindjet në Kosovë po shënojnë rënie nga viti në vit. Faktorë të ndryshëm, siç është planifikimi familjar, kushtet e rënda ekonomike, por edhe ikja e të rinjve jashtë vendit, janë vetëm disa nga arsyet që kanë ndikuar në rënien goxha të madhe të natalitetit.
Se lindjet janë zvogëluar e tregojnë edhe statistikat e ofruara nga Klinika Obstetrike-Gjinekologjike (KOGJ) e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Drejtori i kësaj klinike, Jakup Ismaili ka treguar se gati çdo vit ka vogëlim të lindjeve.
Ai tha se gjatë vitit të kaluar në KOGJ ka pasur 438 lindje më pak se sa ishin në vitin 2018.
“Në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike gjatë vitit 2019 ka pasur 9525 lindje, ndërsa në vitin 2018 kanë qenë 9963 lindje”, ka thënë Ismaili për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Ismaili thotë se nga gjithsej 9525 lindjet, më shumë ka pasur djem se vajza, saktësisht kanë ardhur në jetë 5122 bebe të gjinisë mashkullore e 4668 të gjinisë femërore.
E arsyet e kësaj rënie të natalitetit, sipas doktor Ismailit mund të jenë disa, ndërsa peremnd tre më kryesorët.
“Për mendimin tim shkaktarët e natalitetit më të ulët janë a) Planifikimi familjar; b) Kushtet socioekonomike; c) Ligji për lehonat e d) Migrimi i të rinjve”, thotë drejtori Ismaili.
E ndërkohë në Kosovë përveç rënies së numrit të lindjeve, ka ndryshimin edhe në mënyrën se si gratë po i sjellin fëmijët në jetë.
Edhe pse profesionistët shëndetësorë çdo herë sugjerojnë që të kryhen lindje natyrale, në Kosovë gjithnjë e më shumë ka rritje të numrit të grave shtatzëna që preferojnë lindje në formën jonatyrale, respektivisht me prerje cezariane (operacione gjatë lindjes).
Në lindjet me prerje cezariane, kryhet një operacion ku foshnja del nga një e çarë që mjeku e bën në bark dhe mitër të nënës.
Sipas drejtorit të Klinikës Obstetrike-Gjinekologjike, Jakup Ismaili rreth 34 % e lindjeve vitin e kaluar janë kryer me prerje cezariane.
“Siç e potencuam gjatë vitit 2019 në klininkën tonë kemi pasur 9525 lindje. Nga ky numër me prerje cezariane kanë lindur 3291, që i bie diku rreth 34%”, tha Ismaili.
FaktePlus ka kërkuar të dhëna edhe për numrin e lindjeve në nivel vendi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), por ky institucion ka bërë të ditur se këto të dhëna mund të sigurohen në qershor të këtij viti.
“Agjencia e Statistikave të Kosovës ende nuk ka bërë publikimin e Lindjeve në Kosovë për vitin 2019. Këto të dhëna mund të sigurohen në muajin qershor të vitit 2020”, ka bërë të ditur Valdete Navakazi nga ASK-ja.
Mirëpo, të dhënët e publikuara ndër vite tregojnë se si ka rënë numri i lindjeve në Kosovë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2014 ishin regjistruar 32 mijë e 087 lindje, në vitin 2015 u regjistruan 31. 116 lindje, në vitin 2016 janë regjistruar 30.069 lindje, në vitin 2017 janë regjistruar 30.025 lindje dhe në vitin 2018 janë regjistruar 22.761 lindje në mbarë vendin.
Në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike (KOGJ) puna është e organizuar dhe e distribuuar në 13 reparte të cilat kanë shefin e repartit dhe motrën kryesore.
Në këtë institucion janë të punësuar rreth 50 mjekë specialistë dhe rreth 200 infermiere me kuadër të mesëm mjekësor dhe disa infermiere me gradën bachelor. Po ashtu, duke marrë parasysh se KOGj shërben si qendër për edukimin specialistik këtu punojnë edhe rreth 40 mjekë në specializim.
Ndryshe Kosova numëron 7 spitale të përgjithshme, në të cilat kryhen thuajse të gjitha shërbimet sikurse në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Këto janë qytetet e mëdha, si Prizreni, Ferizaj, Gjakova, Gjilani, Peja, Mitrovica dhe Vushtrria, por ka edhe në qytete tjera./FaktePlus