Lindja e Mesme në zjarr
Irani ka thënë të mërkurën se e ka përfunduar sulmin raketor në Izrael – sulmi më i madh iranian ndaj këtij vendi – duke ndaluar provokimet e mëtutjeshme, ndërsa Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se do ta kundërsulmojnë në kohën kur janë shtuar shqetësimet për një luftë më të gjerë.
Izraeli do të nisë një “hakmarrje të rëndësishme” brenda disa ditëve që mund të shënjestrojë objektet e prodhimit të naftës brenda Iranit dhe vendet e tjera strategjike, ka cituar zyrtarët izraelitë, uebsajti amerikan i lajmeve “Axios”.
Pavarësisht thirrjeve për armëpushim nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, luftimet mes Izraelit dhe Hezbollahut të Libanit kanë vazhduar edhe të mërkurën, raporton Reuters.
Izraeli ka rinisur bombardimet e periferisë së Bejrutit jugor, me të paktën dhjetëra sulme ajrore kundër, çfarë i quan, objektivave që i përkasin grupit.
Izraeli ka lëshuar urdhra të reja të evakuimit për këtë zonë, e cila është zbrazur disa ditë pas sulmeve të rënda.
Hezbollahu ka thënë se është përballur me forcat izraelite që kanë depërtuar në qytetin libanez, Adaisseh herët të mërkurën dhe se i kanë detyruar forcat të tërhiqen.
Irani ka thënë se sulmi i së martës ndaj Izraelit ka synuar vetëm objektet ushtarake. Agjencia e lajmeve të shtetit iranian ka thënë se tri baza ushtarake izraelite janë shënjestruar.
Teherani ka thënë se sulmi ishte përgjigje ndaj vrasjes së liderëve të militantëve dhe agresionit në Liban kundër Hezbollahut dhe atij në Gaza.
“Veprimet tona përfundojnë derisa regjimi izraelit të vendosë të na ftojë për hakmarrje të mëtutjeshme. Në atë rast, përgjigjja jonë do të jetë më e fortë dhe më e fuqishme”, ka thënë ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi në një postim në platformën X të mërkurën.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është zotuar të kundërpërgjigjet. “Irani ka bërë një gabim të madh sonte – dhe do ta paguajë këtë”, ka thënë ai në një mbledhje emergjente të kabinetit të sigurisë politike.
Washingtoni ka thënë se do të punojë me aleatin afatgjatë, Izraelin, për t’u siguruar se Irani do të përballet me “pasoja të rënda” për sulmin e së martës, ku sipas Izraelit janë lëshuar më shumë se 180 raketa balistike.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin ka biseduar me ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant të martën vonë dhe ka thënë se Washingtoni “është pozicionuar” për t’i mbrojtur interesat në Lindjen e Mesme, është thënë në një deklaratë të Pentagonit.
“Ministri dhe unë kemi shprehur vlerësimin e ndërsjellë për mbrojtjen e koordinuar të Izraelit kundër gati 200 raketave balistike të lëshuara nga Irani dhe jemi zotuar se do të qëndrojmë në kontakt të ngushtë”, ka thënë Austin veçmas në një postim në X.
Anijet luftarake të marinës amerikane kanë ndaluar raketat iraniane të nisura drejt Izraelit, ka thënë Pentagoni. Britania ka thënë se forcat e veta kanë luajtur rol në “përpjekjet për ta parandaluar përshkallëzimin e mëtutjeshëm në Lindjen e Mesme”.
Pentagoni ka thënë se sulmet ajrore të së martës nga Irani janë dyfish më të më mëdha sesa sulmet iraniane të prillit.
Që nga 7 tetori i vitit 2023, kur grupi militant Hamas sulmoi Izraelin dhe vrau 1200 persona, Lindja e Mesme është përballë me tensione që po shkojnë duke u rritur. Në kundërofensivë Izraeli ka vrarë mbi 41 mijë palestinezë në rajonin e Gazës. Grupi tjetër militant Hezbollah, pati nisur me datën 8 tetor sulme ndaj Izraelit në mbështetje të palestinezëve. Luftime ka pasur në vazhdimësi në kufirin me Libanin.