Limaj: Një nga vendimet e para për rritjen e pagës minimale në 250 euro
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se janë duke e harmonizuar programin qeverisës bashkë me partnerët e koalicionit, e ku vend të rëndësishëm do të zënë politikat e mirëfillta për t’ua ofruar qytetarëve mirëqenien e duhur.
Ai tha se Nisma në qeveri do të angazhohet për një shoqëri, e cila në thelbin e saj ka vlerat si liria, demokracia dhe solidariteti.
Ai rikujtoi se Nisma e ka pasur gjithnjë në fokus rritjen e pagës minimale në vend dhe ka treguar përkushtimin e saj duke e shpjeguar rëndësinë e rritjes së saj.
“Një nga veprimet e para që do t’i ndërmarrim si Qeveri e ardhshme do të jetë rritja e pagës minimale në 250 euro, dhe nuk do të ndalemi me kaq.Rritja e pagës minimale do të bëhet jo vetëm bazuar në aspektin ligjor, por edhe domosdoshmërinë për një mirëqenie më të mirë të punëtorëve, por gjithashtu rritjen e produktivitetit në vendet e punës. Bashkë për Shtetin!”, ka thënë mes tjerash Limaj.
Sipas tij, kjo bëhet me qëllim të avancimit të kushteve të punëtorëve, por gjithashtu për të nxitur një treg më konkurrues me fuqi punëtore më të përkushtuar për punë./FaktePlus