Limaj: Konferenca e sotme e Kurtit skandaloze
Kreu i Nismës Socialdemokate, Fatmir Limaj e ka quajtur skandaloze konferencën e sotme të kryeministrit Albin Kurti për pretendimet e tij se presidenti Hashim Thaçi ka shkelur Kushtetutën me marrëveshjen e vitit 2013 me NATO-n, sa ishte kryeministër.
Sipas tij, ajo ishte vetëm një letër ndërmjet NATO-s dhe qeverisë së Kosovës, por nuk ishte marrëveshje dhe nuk është as sekrete.
“Për mua nuk është marrëveshje, ajo letër është zotim që një Qeveri e Kosovës ia ka dhënë NATO-s. Nga ajo që shihet se më 2013 është diskutuar çështja e sigurisë ku është folur për gjykatat, policinë. Në Bruksel ka pasur një diskutim. NATO në Kosovë ende funksionon me 1244, pra është neutrale për Pavarësinë e Kosovës. Në këtë situatë drejtuesit e shtetit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të shohin historinë. Kur është biseduar, atëherë kemi pasur një frikë, por kjo nuk është sekrete pasi është diskutuar në Kuvend. Ne kemi pasur informacione se as Policia të mos mund të shkonte në veri dhe kjo ishte skandal, madje as ajo speciale. Por, ajo ka shkuar në veri dhe kjo është parë në disa raste”, ka thënë Limaj në KTV.
Sipas tij një gjë e tillë është diskutuar edhe më parë edhe nga kryeministrat.