Limaj: Koalicioni NISMA-AKR, përcaktues i qeverisjes së ardhshme
NISMA Socialdemokrate sot ka mbajtur mbledhje me anëtarë të kryesisë dhe kryetarë të degëve, ku është diskutuar rreth zhvillimeve të fundit politike, konkretisht për koalicionin parazgjedhor, që sot është nënshkruar me AKR-në.
Gjatë këtij takimi me strukturat drejtuese të partisë, lidhur me koalicionin e sotëm NISMA-AKR, kandidati për kryeministër nga ky koalicion, Fatmir Limaj, theksoi se tashmë janë gati të shkojnë në zgjedhje dhe se do të jenë faktor determinues për krijimin e qeverisë së ardhshme.
Limaj tha se koalicioni NISMA-AKR është një lajm i mirë për vendin, për politikën në vend dhe kjo tregon se me këtë vendim, do të ndërtojnë një bosht politik, madje presin që t’iu bashkohen edhe grupe tjera politike.
Kryesia dhe drejtuesit e degëve të Nismës Socialdemokrate i dhanë mbështetje të plotë koalicionit parazgjedhor NISMA-AKR, dhe shprehen besimin e tyre në suksesin e kandidatit për kryeministër nga ky koalicion, njëherit liderit të Nismës, Fatmir Limaj, thuhet në njoftimin e Nismës Socialdemokrate./FaktePlus/