Limaj: Dialogu duhet ta ketë një titull, “dialog për njohjen e Kosovës”
Udhëheqësi i dialogut shtetëror për bisedimet me Serbinë, Fatmir Limaj ka thënë se detyrë e tyre është si ta kthejnë në binarë dialogun dhe si të arrijnë një marrëveshje të mirë.
Por, ai ka theksuar se dialogu duhet ta ketë një titull, sikurse ka pasur edhe ajo e Rambujesë, dialog për ndërprerjen e luftës.
“Titulli duhet të jetë dialogu për njohjen e Kosovës dhe ne shkojmë me qartësi të plotë, për njohjen e Kosovës nga Serbia. Nuk janë të gatshëm Serbia për ta njohur Kosovën, e presim kur ata të jenë gati, kurdo që të jenë gati. U pa me 2011-2017 që normalizim mes Kosovës dhe Serbisë është vështirë të arrihet pa pasur njohje reciproke. Në fakt emri i normalizimit të marrëdhënieve në shumë raste ka prishur marrëdhëniet e normalizuara ndoshta 2008-2010 në shumë fusha”, tha Limaj.
Limaj ka shtuar se forcat politike në Kosovë duhet t’i lënë anash kalkulimet partiake dhe të bëhen bashkë.
Ai ka ftuar të gjithë që në Kuvend ta bëjnë platformën bashkë.
Ai me tutje ka pasur një mesazh për të gjithë ata që mendojnë se në dialog do të diskutojnë sovranitetin e shtetit.
“Duhet ta kenë të qartë mesazhin, nuk mundet dhe Kosova nuk do të pranojë as në emër të kohës, e me asnjë çmim ta rrënojë e diskutoi sovranitetin e vet, ne nuk jemi të gatshëm ta negociojmë shtetin tonë, kushdo që pret një gjë të tillë, e pret gabim. Jemi të gatshëm të ulemi dhe të mbyllim të gjitha çështjet e hapura dhe të ecim përpara, asnjë variant një gjë e tillë nuk duhet të pritet nga askush”, theksoi Limaj./FaktePlus