Lihen në burg 3 të arrestuarit për 119 kg kokainë në Tiranë, rrugës mund të jenë hequr sasi droge
3 të arrestuarit nga operacioni që zbuloi 119 kilogramë kokainë në një magazinë në Vaqarr të Tiranës fshehur mes arkave me banane ardhur me kontejner nga Ekuadori, janë lënë në burg nga SPAK.
Arrest me burg jep gjykata penale për Marson Murataj, Gëzim Kalaja dhe Hasan Salihu. Kontejneri me banane u nis nga Ekuadori dhe kaloi tranzit në Itali për të ardhur në Durrës.
Report Tv ka mësuar të tjera detaje nga ngjarja e mbrëmjes së 30 dhjetorit. Në orën 18:16 minuta shoferi Hasan Salihu ka shkuar për të marrë konteinerin me banane në Portin e Durrësit dhe është nisur nga rruga e Romanatit, siç i bien gjithmonë. Konteineri është skanuar në Port dhe ka rezultuar krejtësisht i pastër. Në deklarimet para hetuesve, Salihu ka deklaruar se në afërsi të Romanatit katër persona e kanë ndaluar dhe e kanë kërcënuar me jetë. Njëri prej tyre i cili u ngjit në sediljen e pasagjerit i ka thënë: Hap krahun se ndryshe të vrasim familjen.
Tre të tjerët kanë mundur të hyjnë brenda konteinerit dhe kanë bërë rrëmujë gjithçka dhe më pas janë larguar. Ata nuk kanë mundur të gjejnë sasinë e lëndës narkotike. Pas largimit, shoferi Hasan Salihu ka vazhduar rrugën dhe nuk ka njoftuar policinë. Disa çaste më vonë ka konstatuar njërën prej gomave të kamionit të rënë. Në atë moment ka telefonuar shoferin tjetër Gëzim Kalaja dhe kanë ndërruar gomën. Edhe këtij të fundit nuk i ka treguar asgjë.
Të nesërmen, Salihu ka shkuar dhe ia ka treguar ngjarjen Marson Muratajt, administratorit të Zico SHPK. Ky i fundit ka njoftuar policinë, e cila është nisur drejt vendit të ngjarjes. Gjatë shkarkimit të materialeve, 10 arka kanë rezultuar më të rënda se zakonisht. Pas hapjes nga policia janë konstatuar dhjetë pako me rreth 119 kg kokainë. Janë tre momente të ndryshme dyshimi për hetuesit. I pari lidhet me vonesën për të rrëfyer ngjarjen të shoferit Salihu. I dyti është për dyshimet pse droga nuk u kap në port dhe konteineri doli i pastër. Për këtë arsye do të verifikohet edhe kompania që bënë kontrollet në Portin e Durrësit. Dhe momenti i tretë lidhet me dyshimet se deri më mbërritjen në destinacion të konteninerit janë marrë edhe sasi të tjera rrugës.
Në Itali është konstatuar i dëmtuar konteineri, çfarë ka shtuar dyshimet se mund të jetë hequr sasi droge. Mbetet e paqartë ose autoritetet e huaja nuk kanë njoftuar ato shqiptare për sasinë e lëndës narkotike.
Kujtojmë se një ditë pas ngjarjes policia njoftoi se konteineri me banane u nis nga Ekuadori dhe kaloi tranzit në Itali për të ardhur në Durrës.
Autoritetet ligjzbatuese italiane kanë konstatuar mungesën e plumçes (vulës), për këtë arsye kanë ushtruar kontroll dhe kanë konstatuar mungesë të disa arkave me banane. Pas këtij konstatimi kanë mbyllur dhe riplumbosur kontenierin, duke e shoqëruar me procesverbalin përkatës.