Ligji u shkel edhe gjatë seancës për votimin e Qeverisë Kurti
Në këtë seancë plenare me karakter ceremonial nuk është paraqitur kreu i shtetit, Hashim Thaçi, anipse ligji e ka obliguar të ishte i pranishëm në sallë.
Në nenin 28, pika 2, të Ligjit për Protokollin e Shtetit thuhet se: “Ceremoninë e hap Kryetari i Kuvendit. Hyn Presidenti i Republikës dhe zë vendin e caktuar”.
Kjo gjë nuk ka ndodhur, për sa kohë që as Kuvendi e as Presidenca nuk kanë dhënë shpjegime pse ka munguar presidenti në seancë.
Kjo, megjithatë, nuk është e vetmja shkelje që ka ndodhur në seancën e 3 shkurtit, kur kryeministër u zgjodh Albin Kurti.
I njëjti nen i specifikuar më lartë e përcakton që me rastin e votimit të qeverisë së re të gjithë të pranishmit në sallë duhet të ngrihen në këmbë dhe të intonohet himni shtetëror.
As kjo nuk ka ndodhur. Kryesuesja e seancës, Arbërie Nagavci, që vije nga Lëvizja Vetëvendosje, vetëm ka kërkuar nga i sapozgjedhuri kryeministër që ta lexoj tekstin e betimit dhe më pas t’u adresohet të pranishmëve me një fjalë rasti.
Duhet kujtuar se anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë kreun e kësaj partie, nuk e kanë respektuar asnjëherë himnin e Kosovës.
Ata kanë qëndruar ulur sa herë që është intonuar ky himn. Ndryshimi ka ndodhur tek me 4 shkurt, teksa Albin Kurti ka shkuar për ta marrë detyrën e kryeministrit.
Para se të parakalonte nëpër tepihun e kuq dhe pranë Gardës ceremoniale të FSK-së, ai së bashku me ish-zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli, kanë nderuar së bashku himnin e Kosovës.
Për shkeljet që janë bërë gjatë seancës për votimin e Qeverisë së re nuk ka reaguar asnjë parti e as institucion.
Reagimet kanë shpërthyer vetëm për fotografinë e Hashim Thaçit.
Për zhvendosjen e saj nga ana e kryetares së re të Kuvendit, ka reaguar si Presidenca, ashtu edhe PDK-ja.
Bile, kjo e fundit ka kërkuar nga Administrata e Kuvendit të Kosovës të reagoj pa vonesë, në të kundërtën, siç është thënë në reagim,”fotografia e Presidentit do të rikthehet në pozitën e vet me çdo kusht, si ruajtje e karakterit kushtetues dhe sovranitetit të vendit”.