Ligji i ri ndryshon pensionet për familjet e të zhdukurve
Tash e njëzet vjet, 1647 familje të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë jetojnë me ankthin e pritjes se një ditë do të marrin një lajm për familjarët e tyre.
E krejt çfarë bëri shteti i Kosovës për familje që jetojnë me shpresën se një ditë do të gjejnë eshtrat e nënës, vajzës, gruas, djalit, burrit, për kaq vite, është një pension 160 eurosh.
Madje këto familje duhet të zgjedhin se a duan pensionin e ndjersës së tyre, pra atë kontribut-dhënës apo pensionin e “gjakut”.
Por këtij kufizimi do t’i jepet fund me ligjin e ri për pensionet ndaj familjeve që nuk dinë ende për fatin e familjarëve të tyre.
Me ligjin e ri për të cilin ka përfunduar edhe koncept dokumenti parashihet të ndahen nga 230 euro për këto familje me plagë të hapura dhe nuk do të quhet më pension, por do të cilësohet si mbështetje shtetërore për familjet.
Kontributi do të rritet për ato familje që kanë të humbur mbi dy familjarë.
Kjo shumë është jo e kënaqshme për Nystrete Kumnovën, nga shoqata “Thirrjet e Nënave”. Megjithatë ajo për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, tha se shpresojnë që në të ardhmen të bëhen rritje tjera.
“Ne jemi të njoftuar se kam marrë pjesë në këtë grup punues, dhe janë munduar me përgatit ligjin për ngritjen e pensioneve të kësaj kategorie. Ndoshta nuk është mjaftueshme ende, se ka mundësi më shumë. Por kaq ishte mundësia. Tash po presim që do të aprovohet. Kjo është një ndihmesë. Për familjet që kanë dy e më shumë do të ketë ndoshta pak më tepër edhe aty do të shtohen që kanë më shumë të zhdukur. Shuma është e vogël, jo e kënaqshme, por shpresojmë që në kohë pas kohe do të hyjnë mjete dhe do të plotësohen kushtet tona”, tha Kumnova.
Duke komentuar pensionin aktual prej160 eurosh që është duke iu dhënë këtyre familjeve koordinatori për Personat e Pagjetur në Qeverinë e Kosovës, Jahja Lluka i ka thënë FaktePlus së janë duke bërë përpjekje që shumë të rritet.
“Qëndrimi i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj është që kjo duhet të rregullohet. Ne kemi filluar para 6 muajve me ndryshimin e ligjit. Tani kemi përfunduar koncept dokumentin nuk do të quhet më pension por do të quhet mbështetje shtetërore dhe do ta kenë mundësitë gjithë familjarët marrin pensionin e pleqërisë apo kontribut-dhënësit, sepse është qesharake me u thënë se dikujt që ka punu 40 vjet tash a duan të marrin pensionin e ndjersës apo pensionin e gjakut. Por me ligj kjo do të ndryshojë dhe ne do ta qesim edhe në diskutim publik. Nga 160 tani do të jetë së paku 230 euro për çdo familje. Normalisht nëse i ka 2 apo 3 të humbur do të gjendet mundësia që të rritet ai kontribut”, tha Lluka.
Lluka ka theksuar se deri më tani familjarët e të zhdukurve nuk kanë pas benificionet që i kanë pas veteranët, porse me ligjin e ri po tentohet që ata të kenë qasje në të gjitha shërbimet shëndetësore në Kosovë.
“Nuk kanë pas dejtë për vendosjen e fëmijëve, apo studentëve në konvikt. Në punësim me pas prioritet të gjitha do t’i fusim në ligj”, ka thënë Lluka.
Ai ka potencuar se paratë do të gjinden për këto kategori dhe për këtë ka dhënë mbështetje të plotë edhe vetë kryeministri Ramush Haradinaj.
“Paratë do të gjinden. Unë kam përkrahjen e kryeministri dhe jo vetëm përkrahje, por kam urdhër që kjo të zbatohet. Kryeministri e di ku e gjen buxhetin bashkë me ministrin e Financave. Le të kursejnë në disa vende tjera, ndërsa te familjarët e të zhdukurve nuk është mirë të kursehet”, përfundon Lluka.
E ditë më parë Agjencia e Lajmeve FaktePlus raportoi se shteti i Kosovës ka marrë një letër nga një qytetar i Novi Pazarit, i cili thotë se në minierën e qymyrit atje, janë varrosur mbi 20 autobus me njerëz të cilët u depërtuan nga Kosova gjatë periudhës së luftës./FaktePlus