Ligji i Pagave nuk ndryshohet, prej të hënës fillon të zbatohet (VIDEO)
Ministri i Ministrisë së Administratës Publike, Mahir Yagcilar, thotë se janë bërë gati që nga data 1 dhjetor të fillojnë me implementimin e Ligjit për Pagat.
Yagcilar në një intervistë për FaktePlus, thotë se me ligjin e ri për paga do të vihet një rregull për gjithë ata shërbyes që marrin paga nga buxheti i Kosovës.
“Ligji për pagat do të hyjë në fuqi me 1 dhjetor dhe duhet të zbatohet prej fillimit të dhjetorit si ligj i ri. Ekipet janë duke punuar të gjitha përafërsisht ato rregulloret kryesore të cilat janë përgatitur dhe kanë kaluar përmes fazës së diskutimeve publike janë të gatshme të aprovohen edhe në Qeveri që edhe ligji të jetë sa më i zbatueshëm, bashkë me klasifikimin e vendeve të punës dhe rregulloren e klasifikimit të vendeve të punës”, tha Yagcilar.
Duke komentuar kërcënimet e sindikatës së shërbyesve civil për protesta deri në bllokim të shtetit, Yagcilar thotë se është në dijeni për ankesat e tyre, porse sipas tij, të gjitha pagat janë në tabelën e ligjit dhe gjithë shërbyesit janë të informuar.
“Sa i përket rritjet apo zvogëlimit të pagës me ligjin e pagave është e caktuar dhe ekziston tabela dhe ligji nuk është bërë as për zvogëlimin as për rritjen e pagave, por për rregullimin e pagave në sektorin publik, faktikisht për zyrtarët publik që marrin pagën nga buxheti i Republikës së Kosovës, të bëhet një rregull që deri tash nuk kanë ekzistuar. Kështu që shumica e pozitave janë të përfshira në tabelën e cila është pjesë e ligjit, shprehet ai.
Ndërsa, për mundësinë e ndryshimit të ligjit për paga, Yagcilar thotë se kjo mund të bëhet vetëm pas hyrjes në fuqi dhe nisjes së zbatimit të tij në muajin dhjetor.
“Ligji nuk ndryshohet në Qeveri, ligji nuk ndryshohet as me akte nënligjore. Në qoftë se mendohet të ndryshohet prapë ligji, janë iniciativa të ndryshme të cilat mund të fillojnë nga sindikata, nga Qeveria ose nga Kuvendi dhe pastaj shkon në procedura të rregullta, së pari në Qeveri, pastaj në Kuvend, leximi i parë, leximi i dytë dhe aprovohet ligji, pa marrë parasysh a do të jetë ligji i ri apo plotësim ndryshimi i ligjit”, ka theksuar ministri i Administratës Publike.
Në këtë intervistë ministri që mbajti poste në Qeverinë e Kosovës për dhjetë vite, ka folur edhe për idenë e dy partive që pritet ta themelojnë qeverinë e ardhshme për zvogëlimin e ekzekutivit nga 21 në 12 ministri. Ai thotë se ka nevojë për një reduktim të ministrive.
“Kjo është çështje më shumë politike, numri i ministrive i takon çdo qeverie, çdo kryeministri përmes vendimit të Qeverisë, derisa nuk aprovohet ligji për Qeverinë është e drejtë e Qeverisë dhe kryeministrit të vendos. Është mirë që të zvogëlohet ose të fuzionohen disa ministri sepse nuk ka nevojë, ka deklaruar Yagcilar.
Ndërsa i pyetur nëse do të jetë sërish pjesë e Qeverisë së ardhshme, Yagcilar ka lënë të hapur mundësinë, por thotë se varet nga marrëveshja me partitë që do ta formojnë Qeverinë.
“Po jemi goxha gjatë, por duket se ka ardhur koha të gjejmë edhe mundësi tjera, por të shikojmë ajo varet edhe prej vendimeve politike sidomos qeverisë së a ardhshme, kryeministrit të ardhshëm, vendimet e partisë politike”, ka përfunduar Yagcilar.
Yagcilar ka qenë ministër nga në Qeverinë e Kosovës për me shumë se një dekadë. /FaktePlus